Liberty Media pritet të jetë pronarja e re e Botërorit të Formulës 1. Sipas asaj që publikohet në median gjermane, është vetë Bernie Ecclestone ai që ka konfirmuar shitjen tek kompania amerikane, që është në pronësi të biznesmenit John Malone. Mësohet se Liberty Media do të blejë të drejtat mbi Formulën 1 për një shifër prej 8.5 miliardë dollarësh, që do të thotë se CVC Capital Partners do të dalë përfundimisht nga skena.

Çështja e shitjes së Formulës 1 nga ana e CVC ka qenë prej kohësh në diskutim. Më parë, u spekulua për mundësinë që të drejtat e këtij Botërori të bliheshin nga Qatar Sports Investments, pronari i PSG apo nga Stephen Ross, pronari i Miami Dolphins. Një tjetër emër që u përmend në lidhje me këtë çështje ishte edhe ai i zv/presidentit të 21st Century Fox, Chase Carey. Por, në fund, ajo që u shfaq ishte pikërisht Liberty Media.

Ky kalim i pronësisë të Formulës 1 nga CVC te Liberty Media shihet me një lloj optimizmi në ambientet e këtij botërori. CVC shpesh është kritikuar se ka përfituar më shumë se ç’duhej nga ky sport duke bërë që në vitet e fundit Formula 1 të ketë një rënie në audiencën e saj televizive. Dominimi i Red Bullit dhe më pas ai i Mercedesit ka bërë që garat e Formulës 1 të jenë të parashikueshme.

Fakti që Liberty Media është një grup mediatik i bën analistët që të shpresojnë në një rritje të spektaklit të kampionatit më të rëndësishëm të garave automobilistike.

 

/ Top Channel

Artikulli paraprakPrestigjozja britanike: Kosova del nga shkretëtira e futbollit për ndeshjen e parë eliminatore
Artikulli tjetërOperacion në zemër për Beckenbauer