Mbrëmjen e kësaj të mërkurë, në “Friends Arena” të Stokholmit luhet finalja e Europa League mes Ajaxit dhe Manchester United, dy skuadra të cilat janë mësuar të jenë gjithnjë pjesë e Champions League, trofe të cilin të dyja së bashku e kanë fituar plot 7 herë; 4 Ajax, 3 Manchester United.

Kjo finale është edhe sfida e ekipeve që kanë fituar më shumë tituj në kampionatet respektive. Ajax Amsterdam numëron 33 tituj në Holandë, ndërsa Manchester United është 20 herë kampion i Anglisë.

Finalja e Europa League është mundësia më e mirë për të shpëtuar sezonin, si për Manchester United, ashtu edhe për Ajaxin. “Djajtë e kuq” e mbyllën Premier League në vendin e 6, me 54 pikë. Ndërsa Ajax e nisi vonë gjuetinë ndaj Feyenoordit, që në fund u shpall kampion në “Eredivisie”.

Sfida mes Manchesterit e Ajaxit është edhe ajo mes të tashmes dhe të ardhmes, siç është dueli Dolberg-Rashford, por edhe ajo mes Martial e Traore. Në mesfushë priten përballjet më interesante. Schone, Ziyech e Klassen janë 3 lojtarë të vështirë për t’u markuar, e në këtë pikë do të duhet e gjithë eksperienca e Herrerës, e ndoshta edhe e Carrick.

Mungesat e kësaj finaleje do të jenë mbrojtësit Bailly e Viergever, që u ndëshkuan me kartona të kuq në gjysmëfinale.

Në fund, finalja mes Man. Utd e Ajaxit është edhe një përballje për Championsin. Ajax e ka siguruar pjesëmarrjen në këtë kompeticion sezonin e ardhshëm, por do të luajë në fazën eliminatore. Një fitore e finales e çon drejtpërdrejt në fazën e grupeve. Ndërsa për Manchester United, ngritja e trofeut është i vetmi opsion për të qenë në elitën e futbollit të kontinentit të vjetër.

/ Top Channel

Artikulli paraprakLajm befasues nga Italia: Ranieri shumë afër zyrtarizimit te kjo skuadër
Artikulli tjetërLajmi i fundit: Përforcimi i radhës nga Milan në vizita mjekësore në fillim të javës së ardhshme