Franca e harroi humbjen shokuese pas kohës shtesë të pësuar ndaj Finlandës në ditën e parë të kampionatit europian të basketbollit për meshkuj, e këtë e bën në dëm të Greqisë.

Skuadra transalpine arriti të mposhtë atë helene me rezultatin 95-87, e tashmë është në kuotën e 3 pikëve në grupin A. Kjo ishte një ndeshje që Franca e kontrolloi mjaft mirë në 3 periodat e para, gjë që i mjaftoi asaj për ta mbyllur atë me sukses.

Lauvergne ishte ai që spikati për francezët, me 21 pikë të shënuara dhe 11 topa në tabelë, ndërkohë që për grekët, më i miri në parket ishte Sloukas, me 15 pikë, 5 topa në tabelë dhe 7 asiste.

Rusia dhe Spanja shënuan fitoret e tyre të dyta në “Eurobasket”. Skuadra ruse mposhti me vështirësi Serbinë në “Fenerbahçe Arena”, me rezultatin 75-72. Kjo ishte një përballje e luftuar fort nga të dyja skuadrat, por ishte Rusia, ajo që arriti të marrë maksimumin në këtë ndeshje, duke fituar dy pikët e radhës, që i japin mundësinë të jetë në krye të grupit D me 4 pikë.

Spanja e pati shumë të lehtë përballjen e saj. Skuadra kampione në fuqi e kontinentit mundi Çekinë me rezultatin e thellë 93-56. Kjo ishte një ndeshje që u zhvillua në një drejtim, me spanjollët që e dominuan klrejtësisht atë, duke e mbyllur sfidën me një avantazh prej 37 pikësh.

Pau Gasol ishte njeriu i ndeshjes për skuadrën e drejtuar nga Scariolo, me 26 pikë të shënuara dhe 8 topa në tabelë, ndërsa për Çekinë spikati Svrdlik, me 9 pikë e 5 topa në tabelë.

/ Top Channel

Artikulli paraprakF1, Hamilton e Mercedes fitojnë në shtëpinë e Ferrarit
Artikulli tjetërPRAPASKENA/ Milani i ofroi 8 milionë euro në sezon Moratës, ja si dështoi gjithçka