Legjenda e gjallë e futbollit mbarë – shqiptar, Ardian Kozniku, u intervistua ekskluzivisht nga “Korneri.net”, ku caku kryesor i intervistes ishte Përfaqësuesja e Kosovës dhe ndeshjet kualifikuese për botërorin “Rusia 2018”.

Gjatë bisedës me Koznikun mësuam se ai është i pakënaqur me lojën dhe çasjen në ndeshjet e deritanishme, duke e quajtur ekipin aktual të Kosovës si shumë të talentuar, por nevojitet etiketimi i pikave të dobëta në skuadër, të cilat po i kushtojnë Përfaqësueses me rezultate negative.

“Jam i vetëdijshëm se Kosova ka ekip të ri dhe të sapoformuar, mirëpo dallimi është shumë i madh ndëmjet ndeshjeve miqësore dhe këtyre kualifikuese. Mendojë që duhet punuar më shumë në gjetjen e pikave të dobëta në ekip edhe pse po ju them shumë sinqerisht që kontigjenti i lojtarëve që ka Kosova momentalisht është shumë i talentuar”, tha fillimisht Kozniku.

Më tej ish-reprezentuesi i Kroacisë foli edhe për punën e trajnerit Albert Bunjakun, për të cilin tha se ka respekt, por nuk është i kënaqur me modulin e lojës që ka aplikuar deri me tani në Përfaqësuesen e Kosovës.

“Kam shumë respekt për Albert Bunjakun, por duhet të them se respekti personal dhe ai profesional kanë dallim dhe për këtë të fundit nuk pajtohem me të në shumë pika. Një trajner i një ekipi dallon në punë me një trajner të një Përfaqësuesje, kështu që puna efektive duhet të nderlidhet me monitorimin e lojtarëve që ka në dispozicion dhe atyrë që mund të jenë kandidat potencial për të marrë ftesë. Në këtë aspekt Kosova është duke pasur ngecje, pasi lojtarë cilësore ka në të gjithë Evropën, por edhe në Vala Superligën e Kosovës”. vazhdoi Kozniku.

Më pas Kozniku foli edhe për frymen ekipore që ka momentalisht Kosova, duke theksuar se mbrojtja vazhdon të ketë probleme, duke mos gjetur koordinimin e duhur, kurse repartet që janë duke mbajtur një formë konstante janë mesfusha dhe sulmi, por ka nevojë akoma për shumë përmirësime.

“Të gjithë e dimë që kemi lojtarë cilësorë dhe tepër të talentuar, mirëpo në pika të caktuara kemi shumë nevojë për përmirësime. Mbrojtja duhet të jetë më e vëmendshme, pasi nuk ka koordinimin e duhur, kurse sulmi dhe mesfusha janë duke mbajtur një formë konstante, por me shumë vend për përmirësime”.

“Korneri.net” ishte i interesuar ta pyeste Koznikun edhe për spekulimet e fundit për shkarkimin e Albert Bunjakut, ku një nga emrat që spekulohen që mund ta pasojnë trajnerin aktual të Përfaqësueses së Kosovës është edhe Ardian Kozniku, përveç Ciro Blazevic dhe Besnik Hasi.

“Në futbollin modern ç’do trajner duhet të marrë përgjegjësinë për rezultatet negative. Një gjë të tillë duhet ta bëjë edhe Albert Bunjaki, pasi tashmë rezultate poztive është duke pritur një komb i tërë dhe nuk është e rrugës që të thuhet se jemi në ndërtim të skuadrës, pasi koha e ndertimit ishte kur filluan ndeshjet miqësore. Nuk mund të flas për të ardhmën, nëse do të më besohet puna e selektorit të Kosovës apo jo, mirëpo e kam potencuar disa herë që unë jam i gatshëm në ç’do kohë ti ndihmojë vendit tim, pasi jam shumë i sigurtë se kam përgatitjen profesionale për ti dhënë shumë Përfaqësueses së Kosovës, pasi e di shumë mirë se si motivohet një ekip, si evitohet rezultati negativ, por edhe si krijohet grupi që mund të jetë funksional për prurjet e rezultateve pozitive”, tha Kozniku, ekskluzivisht për “Korneri.net”.

Artikulli paraprakGenc Nuza me shokë, perfekt në ndeshjen e parë ndërkombëtare
Artikulli tjetërPunë e kryer: Milan godet fuqishëm! Befasohen rivalët…..