Një nga tifozët më të vjetër në trojet shqiptare dhe themeluesi i tifozëve nga Mitrovica Torcida, Shefqet Begu “Qeti”, ekskluzivisht për “Korneri.net” ka rrëfyer të vërteten e përçarjeve të raporteve në mes tifozërisë së Torcidës dhe kampionit më të ri në futbollin kosovar Trepça ’89.
“Kjo situatë nuk është aspak e mirë për sportin mitrovicas në përgjithësi. Unë si themelues i Torcidës jam shumë i gëzuar për suksesin e Trepçës ’89, mirëpo këto përçarje ndërmjet palëve nuk ka ndodhur gjatë këtij edicioni, por para dy viteve, kur zyrtarët e ’89-nshit kishte premtuar pagesën e udhëtimit për Torcidën gjatë ndeshjes kampionale në Vushtrri.
I pyetur nga “Korneri.net” rreth përpjekeve për tu normalizuar marrëdhënjet mes palëve “Qeti” u shpreh:
“Nuk ka pasur diçka shumë të madhe që situata të vijë deri këtu, pasi kërkesa e Torcidës ka qenë që të sigurohet vetëm transporti për ta përcjellur Trepçën ’89 në ndeshjet në transfertë, por edhe pse zyrtarët e Trepçës e kishin quajtur si një kërkesë të pranueshme, nuk e kishin mbajtur premtimin e tyre”, vazhdoi “Qeti”.
“Korneri.net” e pyeti “Qetin” edhe për mos urimin e Trepçës ’89 nga Torcida, kurse ai dha këtë përgjigje:
“Unë personalisht i kam uruar, por është evidente që mbajë anën e Torcidës dhe ju kam thënë që ta urojnë Trepçën ’89 për titullin e kampionit, por ata nuk e kanë bërë një gjë të tillë, pasi kërkojnë falje publike nga zyrtarët e klubit për premtimet e pa mbajtura dhe më pas gjithçka besojë që do të normalizohet”.
“Qeti” u shpreh i bindur që nëse këto përçarje të mos egzistonin, dje stadiumi në Pejë do të ishte i mbushur me tifozë mitrovicas, kurse atmosfera në qytetin e Minatorëve do të ishte madhështore, sikurse viteve të kaluara, kur Trepça në futboll dhe Trepça në basketboll shpallëshin kampion.
“Natyrisht që kjo situatë është shumë e dhimbshme. Sikur raportet të mos ishin këto që janë, dje në Pejë do ishin 4.000-5.000 shikues, kurse atmosfera në Mitrovicë mbrëmjen e kaluar do të ishte madhështore, sikurse viteve të kaluara, kur kampion u patën shpallë Trepça në futboll apo Trepça në basketboll dhe hendboll. E di që kjo situatë është e kalueshme, mirëpo djemtë e Torcidës kanë kërkesat e tyre si çdo tifozëri tjetër, por ata kanë kërkesat e tyre që duhet zbatuar, kurse unë në këtë mes fajtorin e quajë jetim”, përfundoi deklaratën e tij ekskluzivisht për “Korneri.net” Shefqet Begu “Qeti”./Korneri.net.