Trajneri shqiptar nga Maqedonia, Zekirija Ramadani, dje edhe zyrtarisht u shpall kampion në Vala Superligë me Trepçën ’89, kurse sot menjëherë pas këtij suksesi gjeti kohë për tu prononcuar për “Korneri.net”.
Ne si redaksi natyrisht që ishim të interesuar të dimim se a kishte pritur Ramadani që me kaq bindje të shpallej kampion në Kosovë, si dhe për shumë pika tjera, në cilat ish-trajneri i Flamurtarit të Vlorës u përgjigj me shumë sinqeritet.
“Jo të jem i sinqert, nuk e kam pritur se me kaq bindje do shpallëshim kampion edhe pse realisht kemi treguar se jemi ekip kompakt dhe shumë i organizuar”, tha fillimisht Ramadani.
Ramadani më tej theksoi titulli i kampionit është meritë e ekipit, zyrtarëve të klubit dhe gjithë qytetarëve të Mitrovicës. Tutje trajneri i kampionit të ri kosovar foli edhe për pjesëmarrjen në garat evropiane, duke qenë optimist për kalimin e raundit të parë.
“Natyrisht që titulli i fituar është meritë e lojtarëve, stafit teknik, zyrtarëve të klubit dhe gjithë qytetarëve të Mitrovicës. Tani na mbetet që të fokusohemi në garat evropiane, ku në bazë të kundërshtarit që do të na bie në raundin e parë, mendojë që kemi gjasa për ta kaluar të paktën një raund edhe pse nuk do të jemi favorit”, vazhdoi Ramadani.
Më tej Ramadani foli edhe për përforcimet e mundshme që mund të vinë, në mënyrë që ekipi të përforcohet sa më shumë për garat evropiane, madje ai tha se ekipi do të udhëtojë në Austri për fazën përgatitore, kurse sa i përket urimeve që ka marrë për titull të kampion, Ramadani tha se vetëm përzgjedhësi i Kosovës Albert Bunjaku i ka dërguar mesazh urimi, kurse nga trajnerët kosovarë ai që e uroi ishte vetëm ish-trajneri i Ferizajit, Argjend Beqiri.
“Na duhen disa përforcime për garat evropiane. Në mendjen time janë disa futbollistë të Superligës që i kam etiketuar, por momentalisht nuk mund të them emra apo pozita se ku luajnë. Shpresojë që në fazën përgatitore gjatë qërshorit të shkojmë të kompletuar e jo si në Antalia që kishim shumë mungesa. Titullin deri më tani na kanë uruar vetëm dy trajner, i pari që më ka dërguar mesazh ka qenë përzgjedhësi i Kosovës, Albert Bunjaki, kurse nga trajnerët brenda Kosovës ishte Argjend Beqiri ai që më ka dërguar mesazh urimi”, tha Ramadani.
Krejt në fund “Korneri.net” insistoi që të merrte përgjigje për lojtarin që magjepsi Ramadanin gjatë sezonit pranveror dhe ndonjë futbollist që do të mund ti kryente punë Albert Bunjakut në Përfaqësuese.
“Natyrisht që Otto John ishte i jashtëzakonshëm edhe pse ai luajti për ne pa fazë përgatitore, por mos harroni që ai është vetëm 19 vjeç. Me sa kam parë në futbollin kosovar ka disa elemente që mund ti kryejë punë Përfaqësueses së Kosovës, madje të marrin edhe rol kyq në të ardhmën”, përfundoi Zekirija Ramadani./Korneri.net.