Emocionet e Arijon Ibrahimoviç nuk mund të fshiheshin në korrik të 2018-ës kur ai iu bashkua akademisë së Bajernit.
Ishte vetëm 12 vjeç. Djaloshi kosovar i lindur në Gjermani, sapo kishte futur këmbët në shtëpinë e kampionëve bavarezë. “Jam shumë i lumtur që ndodhem sot këtu”, tha Arijoni, i cili shprehu menjëherë dëshirat e tij për të ardhmen. “Dua të bëhem një profesionist këtu te Bajern”.
Sot, dy vite më vonë, lojtari që mban mbi supe mbiemrin e Zlatan Ibrahimoviçit, yllit të Milanit, është një nga lojtarët më premtues në akademinë e Bajernit. Edhe pse vetëm 14 vjeç, ai luan për 17- vjeçarët e gjigantëve gjermanë. Gjatë gjithë sezonit, edhe në pandemi, Arijoni është stërvitur me lojtarë që janë dy vite më të mëdhenj se ai.

Në vitin 2020 ai ka luajtur të gjitha takimet me skuadrën e U-17 ku ka shënuar 20 gola në 13 ndeshje, dhe duke shtuar rekord 17 asistime. Ai e nisi karrierën e tij me U-15, ku mori shiritin e kapitenit me skuadrën e tij. Ai ka lindur në dhjetor të 2005-ës, kur idhulli i tij, Zlatan Ibrahimoviç luante për Juventusin në Seria A.
/Panorama Sport