Sot, në orën 16:00, në Pallatin Shtetëror të Kremlinit do të hidhet shorti i fazës finale të Botërorit “Rusi 2018”. Do të jenë të pranishëm mbi 1 300 të ftuar, ndër të cilët 30 trajnerë, me Oskar Tabarez të Uruguait dhe Ange Posteçoglu, i cili ka hequr dorë nga kombëtarja e Australisë, pasi e kualifikoi për në “Rusi 2018”.

Nuk mund të mungonte në këtë event presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, i cili do të takohet me disa nga legjendat e futbollit botëror si Kafu, Kanavaro, Maradona e Nikita Simonian 91-vjeçari, ish-futbollist i kombëtares që përfaqësonte Bashkimin Sovjetik. Prezantuesi i njohur anglez Geri Lineker do të drejtojë eventin.

Ai ka qenë kritik ndaj mënyrës sesi FIFA zgjodhi organizatorët, kjo edhe për shkak se pikërisht Rusia mundi Anglinë në përpjekjet për turneun. Në krah të ish-futbollistit do të jetë gazetarja ruse Maria Komandnaja, ndërsa më shumë se 200 vende anembanë globit do të transmetojnë direkt ceremoninë.

RREGULLORJA – Skuadrat e kualifikuara janë të ndara në katër vazo bazuar në klasifikimin e tyre në renditjen e përgjithshme të FIFA-s. Ekipet me renditjen më të mirë gjenden në vazon e parë, ndërsa ato me renditjen më të dobët në vazon e katërt. I vetmi përjashtim është Rusia që, si vend organizator, pozicionohet direkt në vazon numër 1.

Shorti do të fillojë me vazon e parë dhe do të përfundojë me të katërtën. Skuadrat që do të dalin nga vazo gjatë shortit do të vendosen në grupet sipas radhës.

Dy skuadra nga e njëjta konfederatë nuk mund të shortohen në të njëjtin grup, pra disa nga ekipet në vazot 2, 3 dhe 4 mund të kapërcejnë grupet sipas rendit të tyre nëse në to është shortuar më parë një ekip nga kontinenti i tyre. Përjashtim në këtë grup bën vetëm Europa, që me 14 skuadra të kualifikuara në Botëror mund të ketë më tepër se një përfaqësuese për çdo grup.

EKIPE DHE… FLAMUJ – Mes kokave të grupit spikasin Gjermania, që do të mbrojë titullin ndaj Brazilit dhe Francës që premtojnë shumë. Ambicia e yjeve si Ronaldo e Mesi do të shtyjë Portugalinë dhe Argjentinën të kërkojnë suksesin, teksa edhe Anglia mund të bëjë surprizën.

Për sa i përket Botërorit, nuk do të ketë pengesa për asnjë lloj flamuri, apo për atë me shtatë ngjyra që përfaqëson homoseksualët, pavarësisht se ligji e ndalon këtë të fundit. Lajmin e ka konfirmuar Aleksei Smertin, ishfutbollist që tashmë është nga ambasadorët e Kupës së Botës.

Artikulli paraprakIlda Bejleri zgjedh lojtarin më simpatik në Kombëtare (FOTO)
Artikulli tjetërZyrtare: Arrihet marrëveshja, Interi nënshkruan me këtë futbollist