Brooklyn Nets blindon pozititën në krye të renditjes në Konferencën e Lindjes, pasi ka mposhtur Indiana Pacers në “Life Fieldhouse” të Indianapolisit me rezultatin 113-130, duke regjistruar kështu suksesin e katërt radhazi dhe të 43-tin në 63 ndeshje.

Të udhëhequr nga Kevin Durant në formë spektakolare, mysafirët nuk e vunë për asnjë moment në diskutim fitoren, duke fituar bindshëm të tre periudhat e para të lojës dhe duke ulur disi ritmin vetëm në atë të fundit.

Durant e mbylli ndeshjen me 42 pikë e 10 asistime, ndërsa për Pacers bëri një ndeshje të mirë kanadezi LeVert me 36 pikë të shënuara.

Vazhdon forma e mirë edhe e Dallas Mavericks, që triumfoi me rezultatin 105-115 në udhëtim ndaj Detroit Pistons dhe tani e sheh veten gjithmonë e më të sigurt në zonën Play Off të renditjes në Konferencën e Perëndimit.

Pas një pjese të parë të balancuar, Mavericks morën kontrollin e lojës në periudhat e tjera, falë edhe paraqitjes perfekte të Tim Hardaway, që e mbylli ndeshjen me 42 pikë të shënuara.

Një nga ndeshjet më interesante të mbrëmjes ishte edhe ajo mes Houston Rockets dhe Milwaukee Bucks, që u fitua nga vendasit me rezultatin 145-136. Në “Toyota Center” ishin mysafirët nga Milwaukee që e nisën mirë ndeshjen, por më pas në skenë u ngjit 20-vjeçari Kevin Porter që bëri një paraqitje magjike me 50 pikë të shënuara e 11 asistime.

I transferuar te Houston Rockets në janar të këtij viti, Porter konfirmoi se është një nga yjet e rinj të basketbollit, pasi u bë futbollisti më i ri në historinë e NBA që shënon 50+ pikë dhe 10+ asistime në një ndeshje të vetme.

Në ndeshjet e tjera, Denver Nuggets triumfoi me rezultatin 121-111 ndaj Toronto Raptors, Minnesota Timberwolves mposhti 126-114 Golden State Warriors, ndërsa Oklahoma City Thunder humbi në shtëpi me rezultatin 95-109 ndaj New Orleans Pelicans.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here