Barazim 2:2 kishte përfunduar ndeshja e parë e edicionit aktual mes Prishtinës dhe Dukagjinit më 28 shtator.

Këto dy skuadra luajtën baras edhe të dielën në kuadër të xhiros së 16-të të elitës së futbollit të Kosovës.

Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “18 Qershori” në Klinë u mbyll 0:0.

Në pjesën e parë, të dyja skuadrat patën rastet e veta, por nuk u realizuan gola.

Raste pati edhe në pjesën e dytë.

Madje, Mërgim Pefqeli i Prishtinës qëlloi shtyllën, derisa e pati edhe një mundësi të mirë kur pas veprimit të mirë në zonë, gjuajti me të majtën fare pranë shtyllës pingule.

Edhe Bujar Shabani i Dukagjinit pati mundësi të artë në minutën e tretë të kohës shtesë, por gjuajti mbi portë me kokë nga afërsia.

Dukagjini pas 16 ndeshjeve të luajtura ka 21 pikë dhe zë pozitën e gjashtë në tabelë. Prishtina me një pikë më shumë pozicionohet në vendin e pestë.

Në xhiron e 17-të, Dukagjini luan në udhëtim te Feronikeli 74, Prishtina e pret Fushë Kosovën.

© KOHA.

Artikulli paraprakPSV e fitoi derbin kryesor të kampionatit te Feyenoord
Artikulli tjetërBallkani fitoi mezi ndaj Fushë Kosovës