Dukagjini ka shënuar fitore me rikthim të madh në stadiumin “Liman Gegaj” në Malishevë, kundër Malishevës.

Klinasit të dielën fituan 4:3 me rikthim të rezultatit, pasi ishin duke humbur me rezultatin 2:0. Ndeshja i ka takuar xhiros së dhjetë të Superligës së Kosovës në futboll dhe ishte e para e luajtur në “Liman Gegaj” pas më shumë se dy muajve shkaku i punimeve në këtë stadium. Altin Aliu në minutën e 11-të shënoi për 1:0, kurse Elom Nyavedji në minutën e 39-të, shënuan golat për malishevasit. Në këtë ndeshje shumë herë u përdor rishikimi i situatave në VAR.

Dukagjinit iu anulua për pozitë jashtë loje një gol i Marclei Santosit në minutën e 42-të, ndërsa në fund të pjesës së parë, mysafirët pretenduan se kishte prekje të topit me dorë.

Dukagjini me të hyrë në pjesën e dytë nisi furishëm. Në minutën e 47-të shënoi për 2:1 nëpërmjet Iljasa Zulfiut. Asistues ishte braziliani Santos. Barazimi i rezultatit erdhi në minutën e 55-të kur shënoi Iran Junior. Edhe në këtë gol asistues ishte Santosi. Santosi, prej më të mirëve në fushë, shënoi për 3:2 në të mirë të Dukagjinit në minutën e 70-të. Për rezultatin 4:2 shënoi Altin Merlaku në minutën e 76-të, pasi bashkëveproi me Dren Fekën. Edhe ky gol u pranua pas rishikimit të situatës në VAR.

Malisheva realizoi edhe një gol me Drilon Hazrollajn në minutën e tretë të shtesës për 4:3, por që doli të jetë i pamjaftueshëm për ta shmangur disfatën. Për Dukagjinin ishte fitorja e dytë e edicionit. Kishte dy disfata në fillim të sezonit, ndërsa ka edhe gjashtë barazime. Ndërkohë, për Malishevën ishte disfata e gjashtë në edicionin aktual, krahas edhe katër fitoreve. Dukagjini tani ka 12 pikë në dhjetë ndeshje dhe zë pozitën e gjashtë në tabelë. Po aq pikë ka edhe Malisheva në vendin e pestë. Në xhiron e 11-të, Malisheva luan në udhëtim te Fushë Kosova, teksa Dukagjini e pret Llapin.

/Koha.net

Artikulli paraprakDrita fitoi ndeshje të madhe te Llapi
Artikulli tjetërFitore me vuajtje dhe tensione, Roma merr tri pikë ndaj Monza-s në “Olimpico”