Dy tituj kampion, tre Superkupë Spanje, një Kupë Mbreti, një Ligë Kampionesh, një Superkupë Europe, një Ligë Kampionesh dhe një Botëror për Klube. Ky nuk është profili i një futbollisti, por i trofeve të shumtë që Barcelona fitoi mes viteve 2010-2014, kur Sandro Rosell ishte në krye të skuadrës. Ai që shihej si një ndër presidentët më të fortë që ka pasur ky superklub në krye, tashmë ka përfunduar në një të dënuar, gati të keqtrajtuar, në një “birucë”, në burgun e Soto del Real, 1200 kilometra larg Barcelonës.
Arrestimi dhe dënimi i tij, për riciklim të parave të pista dhe fshehja e tyre në parajsa fiskale, në lidhje me blerjen e disa ndeshjeve të përfaqësueses braziliane, pas lidhjeve që Sandro Rosell dhe djali i tij kishin lidhur me një kompani imazhi, kanë bërë që miliarderi katalanas, jo vetëm të mos fitonte asnjë nga seancat e tij gjyqësore (pritet të vuajë nga 3-5 vite burg), por ndërkohë po vuan muajin e nëntë, në një nga burgjet më të egra spanjolle.
Pas kësaj, jo vetëm që ai u arrestua, u dënua, por iu bllokuan edhe të gjitha të mirat materiale dhe ekonomike që kishte ngritur në jetë, aq sa familja e tij ka mbetur edhe në nevojë të bukës së gojës, ndonëse janë familjarët e tyre, ata që i kanë ushqyer dhe strehuar. Por, ndërsa bashkëshortja dhe fëmijët e tij, të paktën shijojnë ajrin e qytetit, për Sandro Rosellin, jeta në burg është një ferr i vërtetë, të paktën siç kanë treguar avokatët e tij. Ai fle çdo natë, veshur me xhup dhe kapuç, si rrjedhojë e mungesës së ngrohjes. Kaldajat hapen vetëm dy orë në ditë, ndërsa në mbrëmje, ish-presidenti i Barcelonës duhet të vuajë edhe temperatura deri në -5 gradë celsius.
Madje, vetë Rosel ka treguar se për të shmangur sadopak këtë, duke qenë se as rrobat e trasha nuk bëjnë punë, disa prej të burgosurve përdorin shishe me ujë, për të ngrohur. Por nuk përfundon këtu, sepse edhe sasia e ushqimit në burgun që po vuan dënimin, ka mangësi të mëdha dhe shërbimet shëndetësore lënë shumë për të dëshiruar. E gjithë kjo ka bërë që ai të humbë në peshë, por pasi kanë folur edhe me mjekët, ata u kanë shpjeguar avokatëve të tij, se rezervat e tij trupore janë më të forta sesa të shumë prej të burgosurve të tjerë.
Në kontaktet e pakta që ka pasur, me familjarët dhe miqtë e tij, duke parë edhe largësinë e madhe, Rosell është parë i qeshur dhe ka inkurajuar ata se do t’ia dalë. Në burg, ai është personi që harxhon më shumë bateri, të cilat i përdor për elektrikun e dorës, duke qenë se shkruan çdo ditë shumë letra, për familjen, ndonëse përgjigjet që i vijnë, janë gjithmonë të kontrolluara, me zarfet që hapen, përpara se t’i shkojnë atij në dhomë.
Në të njëjtën kohë, edhe kontakti me të dënuarit e tjerë, sidomos ata me kombësi katalanase, që e vlerësojnë Rosellin, është rrallëherë e mundur. Pasi të gjithë jetojnë në izolim të plota, në qeli teke dhe e vetmja mënyrë komunikimi është gjatë meshës, në kishën e burgut, një makth që duket vështirë se do të përfundojë shpejt…
/Panorama Sport