Mehmet Dragusha, ish-lojtari i Kombëtares shqiptare, mendon se Milot Rashica ka zgjedhur Kosovën sherri i Gianni De Biasit

Lajmi i largimit të tre lojtarëve të Kombëtares shqiptare drejt përfaqësueses së Kosovës ka bërë xhiron e mediave dhe ka qenë ndër më të komentuarit.

Zyrtarisht, Milot Rashica, Herolind Shala dhe Alban Meha vendosën që të luajnë për Kosovën në të ardhmen.

Gjithçka ishte çështje ditësh dhe dje ishte vetëm starti i shumë lëvizjeve që mund të ndodhin në të ardhmen. Komentet dhe analizat kanë qenë të shumta. Një situatë ku thuajse të gjithë kanë qenë të ndarë mes mbështetjes dhe kritikave për lojtarët që vendosën të ardhmen e tyre.

Një prej atyre që ka analizuar këtë fillim të një çështje shumë të rëndësishme dhe sensitive për dy përfaqësueset është edhe ish-lojtari i Kombëtares shqiptare, Mehmet Dragusha.

Dragusha thotë se Rashica apo të tjerët nuk duhen gjykuar për zgjedhjen që bëjnë, por, sipas tij, De Biasi ka gabuar vetë me sulmuesin e Vitesses duke e detyruar në njëfarë mënyre të zgjedhë Kosovën.

“Është vendimi i gjithsecilit dhe duhet respektuar. Rashica, Shala apo edhe Meha kanë vendosur tashmë dhe nuk duhen gjykuar apo treguar me gisht se bënë këtë zgjedhje. Duhet vetëm t’i përkrahim për vendimin që kanë marrë dhe të realizojnë më të mirën e tyre me përfaqë- suesen që do të luajnë”, është shprehur fillimisht Dragusha.

I pyetur nëse kjo situatë mund të dëmtojë të dy përfaqësueset, pasi shumë lojtarë mund të lëvizin, mesfushori përgjigjet: “Unë e kam thënë edhe më parë. Është zgjedhje zemre e lojtarëve dhe duhet pranuar, qoftë kur përfaqësojnë Shqipërinë, edhe kur veshin fanellën e Kosovës. Mendoj se të tjerët që do të duhet të zgjedhin në vazhdim, mendoj se do ta kenë më të lehtë, pasi akulli u thye tashmë. E rëndësishme është që të mos i gjykojmë këta futbollistë dhe t’i mbështesim në zgjedhjet që ta bëjnë”.

Dragusha është i ashpër në kritikën që i bën trajnerit të Kombëtares, Gianni De Biasi duke fajësuar atë që Rashica ka vendosur të luajë për Kosovën.

“Për sa i përket Milot Rashicës, mendoj se ka qenë një gabim i madh që është lënë jashtë Kombëtares. Nëse De Biasi e ka vlerësuar sulmuesin, ashtu siç ka bërë edhe sot (dje) pasi u bë publik vendimi i futbollistit, ta kishte marrë në Europianin e Francës. Është gabimi i De Biasit që nuk e mori në ‘Euro 2016’ dhe në këtë mënyrë ai mori vendimin e tij për të ardhmen”, tha ai.

“Gjithashtu, ka pasur edhe arsye të tjera mendoj. Është një futbollist që ka lindur në Kosovë dhe ka spikatur pikërisht në kampionatin kosovar si lojtar. Më pas bëri kapërcimin e madh në Holandë dhe aty po shkëlqen me klubin e tij. Një futbollist që shënon kaq shumë gola në një kampionat të fortë si ai holandez dhe nuk thirret nga trajneri në Kombëtare, nuk më duket shumë vendim i drejtë”, përfundoi Dragusha.

Artikulli paraprakSinan Bytyqi i thotë PO Kosovës!
Artikulli tjetërNdahet nga jeta Joao Havelange