Borussia Dortmund konfirmon formën e mirë edhe në Koln. Verdhezinjtë triumfuan 0-4, duke siguruar fitoren e dytë radhazi në Bundesligë në vitin 2024.

Pjesa e parë dhuroi vetëm një gol. Skemë e nënkampionëve të Gjermanisë nga këndorja. Asist i Julian Brandt dhe gol i Donyell Malen (12’). Pas golit nisi protesta e dy tifozerive me hedhjen e monedhave në fushë si qëndrim kategorik kundër futjes së investimeve të huaja në futbollin gjerman.

Skuadra e Edin Terzic mbylli llogaritë e ndeshjes në fraksionin e dytë të takimit, teksa shënoi edhe tre gola të tjerë me Niclas Fullkrug dhe Youssoufa Moukoko, ndërkohë që pati sërish festë për Malen.

Në ndeshjet e tjera të ditës, Freiburgu siguroi tri pikë të arta falë suksesit 3-2 ndaj Hoffenheimit, teksa përfunduan në barazim duelet Dramstadt-Eintracht Frankfurt (2-2) dhe Heidenheim-Wolfsburg (1-1).

Artikulli paraprakArsenali lehtë ndaj një viktime të pafuqishme
Artikulli tjetër“Besoj se Barcelona fiton tre tituj këtë sezon”, Xavi: Ne katalanasit jemi mësuar të vuajmë!