Nga 3 deri më 7 shkurt, palestra ‘13 Qershori’ në Suharekë do të jetë arenë e basketbollit, ku do të zhvillohet Final 8 Kupa e Kosovës.

Final 8 organizohet nga KB Golden Eagle Ylli në bashkëpunim me Federatën e Basketbollit të Kosovës (FBK). Pas tërheqjes së Rahovecit për organizimin e Kupës, klubi i Yllit ka shprehur dëshirën për organizim dhe kjo e drejtë iu është besuar nga Bordi i FBK-së.

Të premten në zyrat e FBK-së është organizuar konferenca për media, që për shkak të pandemisë, ka qenë i kufizuar për media, ku janë shpalosur detaje nga garat e Kupës dhe është nënshkruar zyrtarisht marrëveshja mes FBK-së dhe Yllit.

Elvira Dushku, Sekretare e Përgjithshme e FBK-së ka thënë se kjo garë është ndër më të rëndësishmet për vitin 2021. “Të hënën Bordi i FBK-së ka vendosur që Final 8 të organizohet në Suharekë. Dita e sotme me nënshkrimin e marrëveshjes është vetëm formale, sepse puna intensive ka filluar nga dita e hënë. Tashmë dihet edhe orari për Kupë, ku në konkurrencën e femrave finalja do të jetë ndërmjet skuadrave me traditë në basketbollin e femrave, Prishtinës dhe Bashkimit, derisa te meshkujt, për tri ditë do të zhvillohen çerekfinalet dhe gjysmëfinalet, për tu përcaktuar finalistët. Sa i përket shikuesve, ne kemi dorëzuar një kërkesë në Ministrinë e Shëndetësisë për 15 ose 20 % të lejimit të tifozëve, por ende nuk kemi marrë një përgjigje zyrtare. Nëse lejohen shikuesit, numri i tyre do të jetë rreth 200, që do t’i zbatojnë masat, si distanca dhe maskat”, është shprehur ndër të tjera Dushku në konferencën për media, duke besuar se garat e Kupës do të sjellin spektakël dhe gjithçka do të shkojë sipas planit.

Ndërkohë, përfaqësuesi i Golden Eagle Ylli, Bekim Kryeziu beson se organizimi do të shkojë shumë mirë. “Fillimisht falënderoj FBK-në për besimin ndaj nesh që të organizojmë këtë ngjarje të madhe. Ne kemi organizuar edhe më herët Kupën e Kosovës dhe besoj se do t’ia dalim sërish. Spektakli nuk do të mungoj dhe do të respektojmë të gjitha rregullat, si nga FBK-ja po ashtu edhe nga Ministria e Shëndetësisë”, u shpreh Kryeziu.

Ai zbuloi edhe sponsorin gjeneral, që do të jetë VllesaPagesa dhe turneu në Suharekë zyrtarisht do të quhet Final 8 Kupa e Kosovës VllesaPagesa.

Po ashtu në konferencën për media është zbuluar edhe Logo e Final 8, Kupat dhe medaljet për fituesit.

Gjithashtu është publikuar edhe orari.

Orari

E mërkurë

13:00 Istogu – RC Cola Drita  

16:00 Grupi B: Rahoveci – Trepça

18:30 Hapja solemne 

19:00 Grupi C: Golden Eagle Ylli – Bashkimi

E enjte

13:00 Marigona Hill Prishtina – AS Prishtina

16:00 Grupi D: Ponte Prizreni – Vëllaznimi

19:00 Grupi A: Peja – Sigal Prishtina

E premte

13:00 Finalja: Kupa e Ligës së Parë

16:00 Gjysmëfinalja e I (Fituesit e grupit B-C)

19:00 Gjysmëfinalja e II (Fituesit e grupit D-A)

E diel

14:00 Finalja e Femrave

17:30 Finalja e Meshkujve

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here