Derbi numër 228 i “Madonninas” mes Interit dhe Milanit ka marrë përmasat e një sfide vendimtare. Sigurisht që nuk do të përcaktojë se kush do të shpallet kampion dhe as nuk është ndeshja e fundit e sezonit, por do të japë një ide të qartë nëse zikaltrit janë vërtetë më të fortë se sezonin e shkuar dhe rrjedhimisht më pranë titullit kampion, apo kuqezinjtë janë rikthyer skuadra e dikurshme, e aftë për të gjunjëzuar edhe kundërshtarë të vështirë me prestigjin e një ekipi që vetëbesimin e ka patur armën më të fortë.

Interi vjen pas tre fitoresh radhazi në kampionat dhe të dielën e kaluar realizoi edhe parakalimin e kuqezinjve në renditje, pasi tani kryeson me 50 pikë, një më tepër se Milani, që ka mbajtur vendin e parë thuajse që prej fillimit të sezonit. Ecuria e zikaltërve ka qenë mjaft pozitive në kampionat dhe kjo dëshmohet edhe nga triumfi me shifrat 3-1 ndaj Lazios, një kundërshtar mjaft në formë momentalisht në Serinë A, megjithatë sfida direkte me Milanin pritet të jetë edhe prova e vërtetë e Interit.

Vitet e fundit derbi është ngjyrosur shpesh zikaltër dhe jo më larg se në muajin janar Interi triumfoi me përmbysje 2-1 ndaj Milanit në sfidën çerekfinale të Kupës së Italisë, ndërsa përballja në fazën e parë përfundoi po me shifrat 2-1, por këtë herë në favor të kuqezinjve, që iu falën një dopietë të Zlatan Ibrahimoviç. Pikërisht ndërmjet këtij të fundit dhe liderit të sulmit te Interi, Romelu Lukaku, pritet të ketë një tjetër sfidë brenda sfidës, pas asaj përplasjeje të ashpër që të dy patën në çerekfinalen e Kupës së Italisë, që është edhe në proces hetimi nga prokuroria federale.

Milan vjen pas një transferte të lodhshme në Beograd, ku u përball të enjten në mbrëmje me Crvena Zvezdën në Europa League, megjithatë trajneri Stefano Pioli kishte lënë pushim një pjesë të mirë të titullarëve. Ndaj Interit nuk do të jetë në dispozicion mesfushori algjerian Ismael Bennacer, i cili u dëmtua sërish të enjten dhe vendin e tij pritet ta marrë Sandro Tonali, ndërsa në repartet e tjera pritet që Pioli të hedhë në fushë më të mirët, duke qenë se i ka të gjithë në dispozicion.

Nga ana tjetër Antonio Conte ka pasur një javë të plotë në dispozicion për të përgatitur derbin, duke qenë se zikaltrit nuk kanë asnjë angazhim tjetër përveç kampionatit dhe futbollistët kanë pasur mundësi të rikuperojnë energjitë e shpenzuara në ndeshjen me Lazion të dielën e kaluar. Me Perisic e Eriksen që janë përshtatur më së miri në skemën 3-5-2, Conte pritet të hedhë në fushë të njëjtin formacion me të cilin përballoi edhe Lazion, ndërsa në pankinë do të rikthehet Arturo Vidal, i cili ka lënë pas dëmtimin.

Pas një ecurie për t’u pasur zili për muaj të tërë, Milani ka shfaqur një rënie fizike të ndjeshme javët e fundit, kjo për shkak të dëmtimeve dhe impenjimeve të shpeshta, gjë që është reflektuar edhe në rezultate, pasi kuqezinjtë kanë fituar vetëm dy nga gjashtë ndeshjet e fundit dhe kanë humbur tre e kanë barazuar një. Tashmë ka ardhur çasti për të kryer hapin e madh, pasi triumfi në derbi do të rikthente Milanin në krye të renditjes dhe do të shtonte besimin se mund të arrijë te titulli kampion.

E njëjta gjë vlen edhe për zikaltrit, që ndaj Milanit kanë mundësi jo vetëm të thellojnë shkëputjen, por të eliminojnë edhe një kundërshtar direkt në garën për titullin kampion, që është edhe objektivi i vetëm i Interit për këtë sezon. Një supersfidë vërtetë magjike që do të transmetohet si gjithnjë në mënyrë ekskluzive nga SuperSport këtë të diel në orën 15:00, me stadiumin “San Siro” që edhe pse pa tifozë, do të ndizet në ekranet tuaja.

Megjithatë emocionet e Serie A do të startojnë që në mesditë me ndeshjen Parma-Udinese, që do të nisë në orën 12:30, ndërsa një tjetër ndeshje spektakolare është ajo mes Atalantës dhe Naderbipolit, e planifikuar për t’u luajtur në orën 18:00 në “Gewiss Stadium”.

Si bergamaskët, ashtu edhe napolitanët e nisën sezonin me pretendime të mëdha, por për shkak të disa hapave falë ndaj skuadrave të vogla, kanë rrëshqitur dhe momentalisht e shohin veten jashtë zonës Champions të renditjes.

Pikërisht për këtë arsye ndeshja e sotme bëhet edhe më interesante, pasi është nëj përballje direkte mes dy skaudrave që do të provojnë të marrin një biletë për edicionin e ardhshëm të Ligës së kampionëve.

Atalanta është favorite për të triumfuar në këtë takim, jo vetëm për faktin se gëzon një formë më të mirë, por edhe sepse Napoli po përballet me mungesa të shumta për shkak të dëmtimeve.

Kështu në repartin e sulmit trajneri Gattuso ka mbetur vetëm me Insignen dhe Osihmen në dispozicion, pasi së fundi është ndalur edhe Matteo Politano, që është bashkuar me Mertens, Petagnën dhe Lozanon në infermieri, megjithatë lajmi i mirë është rikuperimi i mbrojtësit Khalidou Koulibaly, që ka mposhtur koronavirusin dhe do të jetë gati të luajë nga fillimi sot.

Në mbrëmje do të luhet përballja Benevento-Roma, një test mjaft i komplikuar për verdhekuqtë, që duan të ruajnë pozitat në zonën Champions të renditjes.

/Supersport.al

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here