Në shtëpinë e kuqezinjve të gjithë janë të përqendruar te sfida e mbrëmjes së nesërme kundër Lazio-s, e cila mund t’i dhurojë Milan-it finalen e Kupës së Italisë. Por, gjithashtu dje nisi dhe java që i dërgon në derbin kundër Inter-it, e cila është sfida që kërkohet më shumë nga tifozët milanist. Pas fitores kundër Roma-s, skuadra e Gattuso-s duket se është kthyer fuqishëm në rrugën për një vend në Champions League, por “Djalli” duhet të konfirmohet edhe të dielën në darkë.
Siç shpjegoi sot në mëngjes La Gazzetta dello Sport, një ecuri pozitive e kuqezinjve mund të çojë Milan-in katër pikë larg zikaltërve, teksa mund të jenë të suksesshëm pas derbit ku faktikisht kanë dy takime të lehta në letër kundër Genoa-s dhe Chievo-s. Ndërkohë që skuadra e Spalletti-t duhet të luajë kundër Napoli-t dhe Sampdoria-s. Kjo mund të jetë e mundshme, por Milan duhet të tregohet i kujdesshëm në ndeshjen kundër Juventus-it që luhet ditën e Pashkës për të pasur vazhdimësi.
Kuqezinjtë do të prezantohen në derbi me një formë të mirë, ndërsa zikaltërit janë në vështirësi prej disa javësh. Nga ana fizike dhe mendore, “Djalli” pritet të jetë më efektiv, por dihet që derbi nuk është një ndeshje si gjithë të tjerat dhe mund të ndodhë gjithçka. Pas viteve të ndryshëm, Milan-Inter kthehet më në fund që të jetë një sfidë direkte për Champions League.