Xhani De Biazi është i qartë për të ardhmen e tij të afërt në krye të Kombëtares shqiptare, por ende jo për atë afatgjatë.

Këtë e ka pranuar vetë tekniku italian në një intervistë për radion italiane “TuttoMercatoWeb”. I pyetur rreth vazhdimit apo jo të kontratës që i përfundon në fund të tetorit, De Biazi u përgjigj prerë: “Të paktën deri më 31 tetor do të jem trajner i Shqipërisë, mandej të shohim”.

60-vjeçari komentoi edhe ndeshjen e mbrëmshme që Napoli i Elseid Hysajt barazoi 1-1 përballë Juventusit në shtëpi: “Ishte një përballje e madhe, e luajtur mirë nga të dyja skuadrat. Napolit i mungoi vetëm goli i dytë, kurse bardhezinjtë ndoshta paguan golin e shënuar që në fillim, çka i shkujdesi. Të mërkurën në Kupën e Italisë do të jetë një duel i tëri për t’u parë, çdo ndeshje ka historinë e vet”.

Në fund edhe një mendim për Higuainin, Belotin dhe Donarumën: “Higuain ka shënuar shumë, ndaj, nëse ndalet herë pas here, thjesht bëhet njerëzor, pasi ndonjëherë duket marsian. Juventusi punon për të qenë në formën më të mirë për ndeshjen ndaj Barcelonës në Ligën e Kampioneve.

Beloti po rritet dhe mund të përmirësohet ende. Po merr përvojë. E ardhmja? Nuk e di nëse do të ketë dëshirë të largohet, mbetet për t’u parë.

Donaruma është i jashtëzakonshëm. Është shumë i ri, ndaj një gabim mund të qëndrojë. Ka qetësinë e një veterani”.

Artikulli paraprakZyrtare: Ky është vendimi për ndeshjen që dyshohet për kurdisje, Besa – Trepça
Artikulli tjetërVizitohet nga bashkëlojtarët Drilon Nuza