Në konferencën për shtyp pas rikthimit në Shqipëri dhe fitores ndaj Izraelit në Haifa, trajneri Gianni De Biasi konfirmoi largimin nga drejtimi i “Kuqezinjëve” në fund të eleminatorëve.

Deklarata “bombë”, por jo e papritur u bë mesditën e së martës, ku trajneri i Kombëtares bëri edhe bilancin e tij në krye të “Kuqezinjëve”.

De Biasi do të mbahet mend si trajneri më i suksesshëm në krye të Shqipërisë, si një ndër protagonistët e kualifikimit historik të skuadrës tonë në një kompeticion madhor, siç ishte ai i qershorit të vitit të kaluar në Europianin francez.

Periudha më e errët e De Biasit në krye të kuqezinjëve ishin pesë ndeshjet zyrtare dhe miqësore para përballjes me Izraelin, që të pesta të humbura. Këto humbje, sidomos ajo ndaj Luksemburgut 2-1, shtuan zërat që kërkonin largimin e tij në mediat dhe analistët sportivë në vend.

Trajneri komentoi edhe këto zëra.

“Më vjen keq që pas ndeshjes me Izraelin shumë do të donin të bënin gati funeralin tim”, u shpreh ai.

De Biasi tha se ka patur marrëdhënie speciale me Presidentin e FSHF-së dhe shumë kujtime të bukura, por në aspektin personal ka edhe kujtime që nuk do donte t’i kujtonte.

Deri në fund të eleminatoreve janë edhe katër sfida të tjera. E para në Elbasan Arena më 2 shtator kundër Lihtenshtejnit, e dyta tri ditë më vonë kundër Maqedonisë në transfertë, për të udhëtuar më pas drejt Spanjës për t’u përballur me iberikët.

Në fund, si për rastësi, trajneri italian mbyll aventurën e tij në krye të Kuqezinjëve kundër vendlindjes së tij, më 9 tetor.

/ Top Channel

Artikulli paraprakReali fiton, Luka Modric-it i bie vlera në merkato
Artikulli tjetërMoldavia nuk lejon pjesëmarrjen e Kosovës në Fed Cup