Trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja e ka cilësuar si shumë të vështirë shortin e sotëm në Europa League.
Në një prononcim për ‘Panorama Sport’, Daja ka folur për herë të parë ku nënvizoi se skuadra e tij nuk është pretendente për ta kaluar grupin.
“Shortin e pritëm me qetësi, sepse e dinim se do të kishim rivalë të vështirë. Do të doja të kishim ndonjë ekip më me emër në grup, por gjithsesi ky është fati ynë dhe ne do të bëjmë më të mirën! Nuk jemi ende në nivelin për të qenë pretendentë që të kalojmë grupin por nuk kemi asgjë për të humbur”, tha ai.
Përballja që ka marrë vëmendjen e të gjithëve është ajo ndaj Partizanit të Beogradit. “Partizani është i vështirë dhe do shpresoj të luhet vetëm futboll. Shpresoj shumë që të krijohet vetëm një atmosferë futbolli. Kemi kujtime të këqija nga koha e kombëtares në Beograd dhe kjo e bën delikate sfidën”, përfundoi Daja.
Kujtyojmë që fati i goglave ka vendosur që Skënderbeu të jetë pjesë e Grupit B së bashku me Dynamo Kyiv (UKR), Young Boys (SUI), Partizan (SRB).