Për Antonio Conten dhe Chelsean e tij ka ardhur disfata e parë sezonale. Blutë u mposhtën 2-1 në Stamford pas një pjese të parë në kufijtë e perfeksionit nga të kuqtë e Klopp që gjetën rrjetën me Lovren dhe një supergol nga kapiteni Henderson. Për teknikun italian është cështje detajesh, është ky koncepti që shpreh në konferencën për shtyp.

“Duhet ta ndiesh rrezikun dhe ndaj Liverpoolit ne nuk e bëmë. Pësuam dy gola të cuditshëm, dhe kur i lejon një avantazh të tillë një skuadre si Liverpool, bëhet gjithcka shumë e vështirë. Duhet të reflektojmë shumë mbi këtë humbje nëse nuk duam të përsëritet ajo që ndodhi sezonin e kaluar. Në pjesën e dytë bëmë shumë më mirë duke ushtruar presion dhe rritur intensitetin, por duhet të kujdesësh për detajet nëse do të jesh një skuadër e madhe, janë detajet ato që bëjnë diferencën”.

Disfatat për Conten janë dicka e rrallë dhe ajo me Liverpoolin është dushi i parë i ftohtë për të që nga mbërritja te Chelsea. Erdhi në ndeshjen e 6 sezonale pas 4 fitoreve dhe një barazimi.

“Disfata ime e parë në Angli? Nuk është disfata ime, por një disfatë e gjithë botës Chelsea. Të gjithë duhet të marrim përgjegjësitë nëse nuk duam të përjetojmë një tjetër sezon si ai që u mbyll me vendin e 10. Kjo humbje demonstron se ende nuk kemi punuar sa duhet dhe ka ende shumë për të bërë. Duhet durim, por mbi të gjitha është e rëndësishme të përveshim mëngët dhe ti futemi punës”.

Të martën e ardhshme Conte do të jetë para një provimi të ri. Chelsea luan kundër Leicester, për raundin e tretë të Kupës së Ligës, një ndeshje me eleminim direkt, një tjetër derbi italian stolash, këtë herë kundër Ranierit dhe me shumë mundësi edhe më i vështiri nga përballjet me teknikët e tjerë italianë në ishull.

 

Raporti:Supersport.al

Artikulli paraprakSampdoria ankohet me të drejtë
Artikulli tjetërHummels: Ancelotti si trajneri im i latinishtes