Goli i parë me fanellën e Anglisë, i shënuar ndaj Shqipërisë në “Uembli” nuk është e vetmja gjë që lidh Paul Gascoigne me Shqipërinë.

 

Ish­futbollisti legjendar anglez, aq problematik jashtë fushë sa i talentuar brenda saj, tregon se nuk kishte reshtur me prapësitë e tij edhe gjatë një vizite me “tre luanët” në vendin tonë, duke përfshirë këtë radhë në bëmat e tij edhe një legjendë tjetër të Anglisë, Sir Bobi Robson, i cili drejtonte asokohe Anglinë.

 

gascoigne

 

Bëhet fjalë për ditët e grumbullimit të Anglisë në Tiranë në marsin e vitit 1989, para ndeshjes së vlefshme për eliminatoret e Botërorit 1990. Gascoigne ka treguar për “Daily Mail” se si ishte qëndrimi i tij në Tiranë dhe çfarë kishte shpikur për të shtyrë kohën në kryeqytetin shqiptar i cili asokohe ofronte pak gjëra për të huajt.

 

gascoigne1

 

“Më kujtohet që shkuam në Shqipëri me Anglinë”, tregon Gascoigne. “Situata ishte shumë keq. Ishim atje dy ditë para ndeshjes dhe unë u mërzita shumë. Pashë nga dritarja e hotelit dhe atje kishte pula në oborr, rreth 40 metra larg. Ndaj fillova të hidhja kallëpet e sapunit të hotelit nga dritarja, duke u munduar t’i godisja këto pula. Në atë moment mbërrin Sër Bobi dhe më pyet ‘Çfarë po bën’. I them ‘Trajner, po mundohem të godas ato pulat me këto kallëpet e sapunit. Jam i mërzitur’. Atëherë ai pa poshtë nga dritarja dhe më thotë ‘Me të vërtetë arrin t’i godasësh?’. Unë gjuaj me sapun dhe ai më thotë ‘Kujdes krahun, mos vrahesh. Oh! Gati e gjuajte atë aty!’. Mendova me vete: ‘Ky është trajneri i Anglisë, i cili me sheh ndërsa gjuaj disa pula me kallëpe sapuni’. Më pas më thotë ‘Futu brenda djalë, kemi ndeshje nesër’. Ky ishte Sër Bobi”, ka treguar me nostalgji Gascoigne për të përditshmen britanike.

 

Gascoigne nuk luajti në atë ndeshje në Tiranë që u mbyll me rezultatin 2­0 për Anglinë, por një muaj më vonë, në “Uembli”, përpara 60 mijë spektatorëve, vulosi me golin e tij të parë me kombëtaren fitoren 5­0 të anglezëve ndaj kuqezinjve.

 

 

 

Artikulli paraprakLRF Prshtinë: Rezultatet dhe tabelat pas javës së 10-të [FOTO]
Artikulli tjetërLajm katastrofik për Juventus!