Llogaria e skuadrës së famshme kroate Cibona mbeti e bllokuar për të 120-ën ditë radhazi.
Kjo do të thotë se sot është dita e 120-të në të cilën Cibona nuk mund të bëjë biznes përmes llogarisë së saj, çka do të thotë automatikisht se klubi falimentoi, përcjell Korneri.net
Kjo ishte e pritshme, ndaj klubi supozohet se ka një plan për të dalë nga këto probleme. Gjegjësisht, së fundmi është bërë e ditur se Cibona po fillon procesin e transformimit në shoqëri aksionare sportive. Cibona ka 45 ditë për ta bërë këtë. Nëse drejtuesit arrijnë të bindin institucionet kompetente se duke u shndërruar në një shoqëri aksionare sportive mund ta nxjerrin klubin nga llumi i kahershëm, kanë shanse shpëtimi.

Me ardhjen e kryesisë së re, borxhi i Cibonës është ulur ndjeshëm dhe aktualisht shkon në pesë milionë euro. Falë interesit të shprehur për konvertimin e dy milionë eurove të borxhit në aksione të shoqërisë së ardhshme aksionare sportive, kjo shifër ka shumë të ngjarë të ulet në tre milionë euro.