Jeta i dha një shans të dytë. Bëhet fjalë për Alan Ruschel, mbrojtësi i skuadrës së Chapecoense-s, që ishte ndër të mbijetuarit e paktë të tragjedisë ajrore, të 28 Nëntorit të kaluar në Medellin.
Një aksident i tmerrshëm, ku humbën jetën 71 persona, pjesa më e madhe e të cilëve ishin lojtarë dhe pjesëtarë të stafit të ekipit brazilian të futbollit.
Vetëm 91 ditë pas tragjedisë, Alan Ruschel iu rikthye stërvitjes në fushë, ashtu siç e konfirmoi vetë lojtari nëpërmjet një video të publikuar në profilin e tij në Instagram.
“Faleminderit Zotit për gjithçka” ishte komenti i Ruschel, që shkruante se kishte bërë “vetëm një hap të vogël dhe tashmë sheh përpara”.
Synimi i mbrojtësit tashmë është që të kthehet në fushë për një tjetër ndeshje zyrtare. Menjëherë pas aksidentit të frikshëm, Ruschel tha se dëshironte të luante në harkun e gjashtë muajve. Pasi u kthye në stërvitje, 27-vjeçarit i ka mbetur vetëm një sforco e fundit për të realizuar objektivin e përcaktuar.
Raporti: Supersport.al