Lajm i keq për trajnerin e Barcelonës, Ronald Koeman, ende pa u ngrohur mirë muskujt në këtë sezon të ri futbollistik. Holandezi mund të mos ketë në dispozicion për tre ose katër muajt e ardhshëm sulmuesin Martin Braithwaite.

Futbollisti, i cili pritej të kthehej në fushë pas një dëmtimi të pësuar në ndeshjen e fundit të zhvilluar në LaLiga, u është nënshtruar testeve mjekësore dhe ka rezultuar që problemi i tij fizik është serioz. Vendimi për trajtimin e tij do të merret pas së hënës, por nuk përjashtohet mundësia që të përfundojë në operacion.

Siç raportohet nga mediet spanjolle, Braithwaite vuan nga problemet e kërcit të gjurit dhe koha e pushimit mund të jetë midis tre dhe katër muajve.

Danezi u dëmtua në ndeshjen e kampionatit kundër Getafes dhe nuk u grumbullua nga Danimarka për ndeshjet eliminatore të Botërorit. Fillimisht u diskutua nëse do të mund të ishte nën urdhrat e Koemanit për ndeshjen Championsit kundër Bayernit, por fatkeqësisht Barcelona mund ta ketë humbur për muaj të tërë.

Gjithsesi, diagnoza më e saktë dhe koha e riaftësimit do të mësohen në fillim të javës.

/Supersport.al

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here