Pritej më shumë nga ata. Të cilësuar si blerjet e mëdha të merkaton së verës, kanë ndezur fantazinë e tifozëve, por nuk kanë arritur të mbajnë premtimet e bëra. Transferimet e tyre milionere duhej të zhvendosnin ekuilibrat në favor të ekipeve ku u transferon, por nuk ka qenë kështu. Këta janë shtatë futbollistët që kanë zhgënjyer në këtë fazë të parë të sezonit.

RENATO SANCHES – Ka qenë shumë afër Milan, por mesfushori 20-vjeçar i Bayern Munich, ka befasuar të gjithë duke nënshkruar me Sëansea. Renato Sanches ka qenë blerja e madhe e uellsianëve, që ishin në kërkim të një lojtari të rëndësishëm për mesfushën. Portugezi është ribashkuar me trajnerin Paul Clement, i cili ka qenë ndihmësi i Ancelotti-t në Mynih dhe që i ka dhënë një rol protagonisti në skemën e tij 4-3-3. Por Sanches nuk ka arritur të bëjë diferencën. Në shtatë ndeshje të luajtura në Premier League, lojtari i ri më i mirë i Euro 2016-ës, ka dhuruar një seri paraqitjesh zhgënjyese dhe është zëvendësuar në plot katër raste. Një fillim sezoni që nuk duhet t’i ketë pëlqyer aspak Bayern Munich, klubi që zotëron kartonin e tij. Në Gjermani presin një ndërrim të marshit nga ana e portugezit, i cili do të duhet të bëjë për vete Sëansea-n, nëse do të kthehet si protagonist në Bavari.

BONUCCI – Në verë, transferimi i tij nga Juventus te Milan ka befasuar të gjithë. Blerja e Bonucci-t ka qenë qershia mbi tortë e merkaton përrallore të udhëhequr nga dyshja Mirabelli-Fassone. I marrë për 42 milionë euro, mbrojtësi nga Viterbo është bërë simboli i projektit të kuqezinjve, duke marrë edhe shiritin e kapitenit. Në këtë fazë të parë të sezonit, Bonucci ka qenë një dështim i plotë. Në një intervistë të dhënë kohët e fundit, vetë ai ka pranuar: “Kam bërë një hap mbrapa në ndeshjet e fundit. Edhe unë prisja më shumë. Duhej të zhvendosja ekuilibrat, por nuk ia kam dalë”. Zëvendësimi i Montella-s me Gattuso-n mund ta ndihmojë Bonucci-n që të kthehet ai i mëparshmi, mbrojtësi i vlerësuar me Italinë dhe Juventus-in në gjashtë sezonet e fundit.

CEBALLOS – Paraqitja e jashtëzakonshme në Euro 2021 me fanellën e Spanjës ka bërë që rreth tij të zhvillohet një ankand i vërtetë. Real Madrid ka qenë ekipi që arriti të fitojë garën me një çek prej 17 milionë eurosh. Një blerje që ka ndezur verën e madrilenëve, të cilët kanë vendosur të përfshijnë në kontratën e tij një klauzolë prej 500 milionë eurosh, me synimin për të shmangur çdo surprizë të mundshme. Në këtë fazë të parë të sezonit, Ceballos ka koleksionuar vetëm 10 ndeshjes. Pas një fillimi të mirë, spanjolli nuk e ka bindur trajnerin Zidane, i cili ka vendosur ta aktivizojë vetëm 316 minuta. Në Spanjë ka filluar të flitet që tani për një huazim të ish-lojtarit të Betis në janar. Do të ishte një mundësi e mirë për Ceballos për të rigjetur formën e mëparshme dhe për të bindur Real-in.

SCHICK – Dukej gjithçka e mbyllur për transferimin e tij tek Juventus. Klubi bardhezi ka qenë një hap larg zyrtarizimit të blerjes së sulmuesit cek, autor i 13 golave në sezonin e kaluar me Sampdoria-n. Në fund, kampionët e Italisë janë tërhequr dhe kanë vendosur të marrin Bernardeschi-n nga Fiorentina. I braktisur nga “Zonja”, Schik është bërë më pas blerja më e shtrenjtë në historinë e Roma-s dhe lojtari kryesor i projektit të ri të Eusebio di Francesco-s. Por lojtari ka luajtur vetëm 18 minuta për shkak një dëmtimi në kofshë. Shumë pak për një lojtar që duhej të ndizte ambientin verdhekuq me një lum golash. Tani Schik është kthyer të stërvitet me skuadrën dhe duket se është gati të shpërthejë. Një operacion prej 42 milionë eurosh që duhet të japë përgjigje në fushën e lojës dhe të tregojë vlerën e tij pas mrekullive të bëra me fanellën e Sampdoria-s sezonin e kaluar.

KLAASSEN – I marrë për të qenë lideri i mesfushës së Everton-it të Ronald Koeman, holandezi është kthyer shumë shpejt në simbolin e sezonit zhgënjyes të klubit anglez. pavarësisht shpenzimeve të mëdha të bëra në merkaton, skuadra nuk ka arritur të gjejë një identitet, me Sigurdsson, Keane, Rooney dhe Sandro Ramirez që nuk po arrijnë të shprehin të gjitha cilësitë e tyre. Në Liverpul prisnin shumë nga ai, duke parë se lojtari udhëhoqi Ajax-in drejt finales së Europa League në sezonin e kaluar. Klaasen nuk ka arritur të ketë asnjë ndikim në ekip në këtë fazë të parë të sezonit, me ekipin që është vetëm dy pikë larg zonës së rënies nga kategoria dhe i eliminuar në Europa League.

LINDELOF – Mourinho e ndiqte prej disa kohësh. Tentativat për ta marrë në merkaton e janarit të kaluar kanë dështuar, por në verë ka ardhur transferimi i lojtarit në “Old Trafford” për 35 milionë sterlina. portugezi ka vendosur t’ia besojë çelësat e mbrojtjes futbollistit suedez, por ka ndërruar mendim shumë shpejt. Në fazën e parë të sezonit, Lindelof është lënë në stol nga “Special One”, i cili ka preferuar treshen Bailly-Smalling-Jones në skemën 3-4-1-2. Lindelof ka luajtur përsëri 8 herë të tjera, mes kampionatit dhe Champions League, dhe tifozët i kanë vënë pseudonimin “Lindeflop” (Flop do të thotë dështim) pas paraqitjes zhgënjyese të lojtarit kundër Huddersfield. Në javët e fundit, ai ka përfituar nga ndryshimi i skemës, me Mourinho që ka kaluar te mbrojtja me katër lojtarë dhe duket se është kthyer të jetë një nga të preferuarit e Mou.

DEMBELE – 145 milionë euro për transferimin dhe një klauzolë 400 milionë euro për lirimin e tij. Barcelona ka bërë “all in” për Ousmane Dembele, i cili është marrë për të zëvendësuar Neymar. Një trashëgimi e rëndë për francezin e ri, por trajneri Valverde i ka besuar atij që në fillim, në ndeshjet e kampionatit kundër Espanyol dhe Getafe dhe në fitoren 3-0 të marrë kundër Juventus në Champions League. Pikërisht në momentin më të bukur, ish-ylli i Dortmund, ka pësuar një dëmtim serioz në këmbën e majtë. Një dëmtim që ka ndalur rritjen e tij graduale. Tani, ai po përshpejton kohët dhe mund të kthehet në fushë 23 dhjetorin e ardhshëm, me rastin e super ndeshjes kundër Real Madrid. Do të ishte një rikuperim i rëndësishëm për Valverde-n, i cili është gati t’i besojë përsëri talentit francez.

Artikulli paraprakZyrtare: Orari i ri për Ligën e Kampionëve
Artikulli tjetërTjetër ndërhyrje kirurgjikale për Ibrahimovic