Sezoni ka përfunduar edhe në Supeligën e Kosovës. Një kampionat që tërhoqi një numër të lartë lojtarësh dhe trajnerësh nga Shqipëria.

Ekipi që kishte më tepër futbollistë nga Shqipëria ishte Liria e Prizrenit, përfshirë edhe trajnerin Bledi Shkëmbi.

Një ndër elementët që spikati te Liria ishte Artur Magani. Sulmuesi 23-vjeçar realizoi 14 gola në Superligën e Kosovës.

Kjo ishte eksperienca e tij e parë jashtë Shqipërisë dhe nuk zhgënjeu me paraqitjet e tij. Në një intervistë, Artur Magani rrëfen aventurën e tij te Liria e Prizrenit, por edhe planet e së ardhmes.

-Sezoni në Superligën e Kosovës ka përfunduar. Si mund ta përshkruani këtë edicion të parë për ju në ligën e Kosovës?

-Mendoj që deri diku ka qenë një sezon pozitiv për të gjithë. Për veten nuk kam dëshirë të flas, sepse preferoj më shumë të më gjykojnë të tjerët.

-Si jeni ndjerë në Kosovë? Çfarë ju ka bërë më shumë përshtypje?

-Në Kosovë jam ndjerë mirë që në fillim. Më kanë afruar të gjithë. Tani që jam larguar kam lënë shumë miq atje, si në ekip edhe jashtë ekipit.

-Sa ju ka ndihmuar trajneri Shkëmbi dhe lojtarët e tjerë shqiptarë me eksperiencë në këtë sezon me Lirinë?

-Trajneri Shkëmbi dhe lojtarët e tjerë kanë bërë një punë të madhe. Sigurisht që edhe mua më ka ndihmuar shumë, sepse në fillim nuk po arrija të gjeja golin, por trajneri gjithmonë më ndihmoi me këshilla të vlefshme që të shënoja.

-Si kanë qenë marrëdhëniet mes lojtarëve nga Shqipëria dhe atyre nga Kosova te Liria?

-Tek ekipi i Lirisë nga shumë gjëra të mira që kishte, më bëri më shumë përshtypje që të gjithë ishim si familje dhe nuk na shihte askush që jemi nga Shqiperia apo Kosova. Jam ndjerë shumë i respektuar nga të gjithë futbollistët.

-Cili ka qenë miku juaj më i mirë te Liria gjatë këtij sezoni?

-Miq i kam pasur të gjithë, por me Basriun, Kocev dhe Avdylin ndoshta kam shkuar më shumë për arsye që jetonim në një shtëpi.

-Liria nuk arriti dot objektivat për të hyrë në Europë. Çfarë i mungoi ekipit për të hedhur këtë hap?

-Liria nuk ka pasur objektiv Europën, të paktën unë kur kam nënshkruar kontratë nuk më ka thënë askush që duhet të jemi në Europë. Por sigurisht, duke parë kualitetin e lojtarëve, më vjen keq që nuk e arritëm Europën. Mundësitë i kishim, por shume gjëra nuk shkuam mirë dhe ne kemi përgjegjësinë tonë. Por dhe drejtuesit më të lartë kanë përgjegjësinë e tyre.

-Në aspektin personal, ky sezon ka qenë pozitiv për ju duke u konfirmuar si golashënues në ekip…

-Në çdo ekip që shkoj, nuk them kurrë që do shënoj 10 apo 15 gola. Mundohem gjithmonë që të ndihmoj ekipin, por sigurisht dhe të shënoj. Nëse unë jam golashënues i ekipit, kjo është meritë e ekipit dhe trajnerit.

-Kanë qarkulluar lajme sot, se klubi i Lirisë nuk do të rinovojë kontratat me lojtarët e ardhur nga Shqipëria. E vërtetë?

-Nuk mendoj që këto lajme janë të vërteta. Pas ndeshjes së fundit të kampionatit, kemi pasur takim me drejtuesit dhe kemi kaluar shumë mirë. Unë dhe të gjithë futbollistët nga Shqipëria e kemi derën e hapur në Prizren.

-Ku do t’ju shohim sezonin e ardhshëm, në Superligën e Shqipërisë apo në atë të Kosovës?

– Deri tani kam pasur shumë oferta nga ekipet kosovare, por unë preferoj më shumë të jem në Superligën shqiptare këtë vit, ose në ndonjë kampionat më të fortë se i Kosoves apo Shqipërisë.

Artikulli paraprakPirlo e mbyll karrierën, e zëvendëson djali i tij
Artikulli tjetërIsh-portieri i Tiranes ‘ndjek’ Shkëmbin, i thotë lamtumirë Lirisë