Ishte një nga dëshirat e para të Montella-s për ta transferuar në Milano, por prej një muaji transferimi i Lucas Biglia ra në qetësi dhe Milani siguroi 7 përforcime të tjera.
Megjithatë, kuqezinjtë ende nuk e kanë mbyllur merkaton, madje janë rikthyer sërish te argjentinasi dhe tashmë janë më pranë se kurrë më parë për ta transferuar nga Lazio.
Lojtari nuk ka marrë pjesë në vizitat rutinë mjekësore që i kryejnë lojtarët në fillim të sezonit para nisjes së stërvitjes dhe kjo është parë nga mediat italiane si një shenjë se mesfushori tashmë duket i vendosur për të veshur bluzën kuqezi sezonin e ri.
Megjithatë ende nuk ka një datë zyrtare për një takim mes palëve, por kjo mund të ndodhë të dielën ose të hënën.
Në pritje të marrëveshjes më Lazion për Biglia-n, Milani njëkohësisht po punon edhe për shitjet. Niang duket se do të kalojë në Torino, ndërsa Bertolacci është drejt një rikthimi te Genoa. De Sciglio mbetet një emër i rëndësishëm për Juventusin, por ende nuk ka diçka konkrete. Bacca pritet të zyrtarizohet te Marseille.
Ndërkohë, në “fletoren” e Mirabelli-t dhe Fassone-s janë edhe dy emra. Kalinic, kontaktet për të me Fiorentinën vazhdojnë, por deri tani pa sukses. Ndërsa ëndrra e kuqezinjve këtë verë është Aubameyang , sulmuesi që do të ndryshonte perspektivat e Milanit “kinez”.