Etrit Berisha jep një lajm shumë të mirë për gjendjen e tij fizike në një lidhje telefonike për “Zona Gol”. Portieri i Atalantës siguroi se nuk ka asgjë serioze në lidhje me dëmtimin që pësoi në Europa League në fitoren 1-5 ndaj Evertonit.“Jam mirë, kam qenë me doktorët dhe të gjithë ekzaminimet kanë dalë mirë.

Tani do të vijoj normalisht stërvitjen për të qenë gati për ndeshjen e ardhshme. Dëmtimi me Evertonin nuk ka qenë serioz”, thotë ai.Atalanta po i befason të gjithë në Europë, ndërsa në Serinë A ka disa luhatje në rezultate. Sipas Berishës, në javët e ardhshme bergamaskët do të jenë më të fokusuar në kampionat.

“Kampionati italian është shumë i vështirë, nëse nuk e dëshiron fitoren me ngulm, bëhet gjithçka e paparashikueshme. Ne tek Atalanta kemi një ekip shumë cilësor, por kemi lënë disa pikë.

Ndoshta kemi disa lojtarë të rinj që nuk janë mësuar edhe me Europa Leaguen, ndaj dhe kemi pasur një ngecje në kampionat.

Në javët në vazhdim besoj se do të jemi më të fokusuar në Serinë A. Rivaliteti për titullin do të jetë shumë i fortë, pa një favorit absolut deri në fund”, shprehet Berisha.

Që nga viti 2012, 28-vjeçari është pjesë e Kombëtares Shqiptare falë intuitës që pati De Biasi për ta grumbulluar kur luante me Kalmarin në Suedi.“De Biasi ka bërë një punë shumë të madhe me Kombëtaren tonë. Ne jemi shumë të kënaqur për gjithçka ka arritur për ekipin. I jam mirënjohës për atë që ka bërë për mua personalisht.

Pa De Biasin, ndoshta as unë nuk do të isha në kombëtare”, shprehet portieri shqiptar.Në fund Berisha i uroi 25-vjetorin e themelimit tifogrupit “Ballistët”, që përkrah Shkëndijën e Tetovës.

Ai i ftoi “Ballistët” që të jenë në çdo ndeshje të Shqipërisë, sepse Kombëtarja ka nevojë për mbështetjen e tyre dhe të gjithë tifozëve “kuqezi”.

Artikulli paraprak“Nëse me telefonojnë për të luajtur te Real Madrid, nuk do të përgjigjem”
Artikulli tjetërMontella: Dua të luajë me dy sulmues, por Suso-s ç’farë ti bëjë