Prishtina ka thyer heshtjen para ndeshjes kryesore ndaj Dritës, e cila do të zhvillohet të dielën.
“Bardhekaltrit” pasi kishin vendosur të mos flasin për media, ndërruan mendje pas stërvitjes që e mbajtën në paraditen e së enjtes, në stadiumin e 2 Korrikut.
Kapiteni i Prishtinës, Armend Dallku, ka treguar se si po shkojnë përgatitjet para ndeshjes që do ta vendosë titullin.
Për liderin e Prishtinës, dueli kundër ekipit nga Gjilani, është ndeshja më e rëndësishme në karrierën e tij të bujshme.
Trajneri Mirel Josa edhe pse heshti para mediave, ishte mjaft aktiv gjatë stërvitjes së sotme, e cila ishte e fokusuar në pjesën taktike dhe me një intensitet të ulët.
Në stërvitjen e së enjtes, Trajneri Josa nuk kishte në dispozicion vetëm Lorik Boshnjakun, i cili ushtroi i veçuar nga pjesa tjetër e skuadrës.
Skuadra nga kryeqyteti do t’i zhvillojë edhe dy stërvitje të tjera deri fillimin e sfidës që do të vendosë titullin.