Skuadra e Beneventos, me fioren 1-0 ndaj Juve Stabias, siguroi matematikisht kthimin në Serie A kur kanë mbetur edhe 7 ndeshje nga fundi i kampionatit.
Ekipi i drejtuar nga Filippo Inzaghi kryeson Serinë B me 76 pikë, 24 më shumë se Crotone e vendit të dytë.
Në fakt, kthimi në elitën e futbollit italian të skuadrës nga Campania ishte çështje kohe, pasi e impononte diferenca e theksuar me rivalet. Për këtë arsye, drejtuesit e klubit prej kohësh kanë nisur planet për të ndërtuar një grup serioz, që ngjitja në Serie A të mos jetë një arritje kalimtare.
Drejtuesit e Beneventos i kanë bërë dhuratë Inzaghit një sulmues me peshë, francezin Loic Remy, që dy sezonet e fundit ka qenë pjesë e Lille në Ligue 1.

Sulmuesi 33-vjeçar do të përfitojë 3 milionë euro në sezon nga kontrata me klubin italian. Remy, i cili vjen në Serie A si lojtar i lirë, theksoi se ishte bindur për të nënshkruar me Beneventon nga Sagna.
“Fola me Sagna dhe mora ca informacione të vlefshme për qytetin, klubin dhe atmosferën. Jam i lumtur që kam firmosur dhe po pres me padurim të zbuloj këtë vend të ri. Për mua është një sfidë.”