Bekim Balaj nisi një verë një eksperiencë të re në Rusi te Terek Grozni, dhe në një intervistë të dhënë në “Supersport”, sulmuesi shkodran tregon se u ambientua shpejt me Terekun dhe se ndihet shumë mirë aty.
“Më vjen mirë që u ambientova shumë shpejt te ekipi i ri, sepse u bëra pjesë e Terekut para Europianit. Kam dhënë një kontribut me vlerë deri më tani. Si unë në aspektin personal por edhe ekipi jemi në pozicion të favorshëm. Shpresoj të vazhdoj kështu: të shënoj sa më shumë gola dhe të ndihmoj edhe ekipin për të arritur objektivat. I kam luajtur të gjitha ndeshjet dhe kur luan, nxehesh dhe përshtatesh edhe me klimën dhe të gjitha aspektet jashtë futbollit. Po ndihem shumë mirë aty.
Deri më tani Balaj ka gjetur rrugën e rrjetës tetë herë, por për të nuk ka limite dhe kërkon të shënoje sa më shumë.
“Të them të drejtën asnjëherë nuk i vendos vetes kufij. E rëndësishme është të shënoj, më e rëndësishme është të luaj ashtu si kam bërë, të vazhdoj me këtë ritëm, por kufij nuk i vendos vetes”.
Në fund ai flet edhe për Kombëtaren, e cila me humbjen ndaj Izraelit i ka më të vogla shanset për vendin e dytë. Për përballjen me Italinë, Balaj nuk do që të bëje parashikime.
“Ndoshta pas humbjes me Izraelin, ajo pritshmëria jonë e lartë për të kapur vendin e dytë u zbeh disi. Megjithatë jemi ende në valle, të arrijmë fillimisht vendin e tretë. Kemi shumë ndeshje të vështira, duke nisur nga sfida me Italinë. Për rezultat në Palermo? Në futboll është mirë të mos bësh parashikime, sepse në shumë ndeshje e kemi parë që parashikimet nuk dalin në fushë. Të japim më të mirën dhe më pas të shohim”.