Bayern Munich rikthehet te fitorja pas tre ndeshjeve “pushim” duke mundur bindshëm holandezët e PSV me rezultatin 4:1. Bavarezët kërkonin t’i jepnin fund ecurisë së keqe, me mediet që e quanin një ‘mini krizë’, duke prodhuar edhe një lojë të denjë për Bayern Munchen dhe ia arritën kundër PSV. I pari që zhbllokoi rezultatin ishte Thomas Muller, pak pas tij erdhi edhe goli i Kimmich, i cili po shënon sikur të ishte një sulmues. PSV reagon duke ngushtuar rezultatin pak para se të mbaronte pjesa e parë por dy golat e Lewandowski dhe Robben vulosën fitoren e vendasve që i mban në vendin e dytë, tre pikë pas Atleticos.
Ndërkohë në ndeshjen tjetër të grupit D midis FK Rostov dhe Atletico Madrid nuk kishte shumë emocione dhe spanjollët arritën të merrnin një fitore tepër të vlefshme në Rusi pasi dominuan ndeshjen për shumicën e kohës duke krijuar edhe disa raste të pastra për gol por që nuk u shfrytëzuan si ç’duhej. Djemtë e Simeone-s gjetën golin e fitores në minutën e 62’ me anë të belgut Carrasco. Në minutat e mbetura është sërish Atletico që vazhdon të kërkojë golin e sigurisë dhe rastet nuk munguan por rezultati mbeti i njëjtë deri në fund. Me këtë fitore spanjollët mbeten në vend të parë me 9 pikë të plota.