Sezoni i ri i Euroleague në basketboll për meshkuj nisi me supersfidën mes Realit të Madridit dhe Olympiakos. Skuadra madrilene arriti të përsërisë suksesin e finales së vitit 2015, duke e mposhtur Olympiakosin me rezultatin 83-65, në një ndeshje të cilën spanjollët e dominuan krejtësisht.

Sergio Llull ishte ai që mori përsipër të drejtojë Realin e Madridit në këtë sukses të parë në ngjarjen më të rëndësishme të basketbollit për klube në Kontinentin e Vjetër, teksa e mbylli takimin me 20 pikë të shënuara. Dhanë kontributin e tyre në këtë ndeshje për madrilenët edhe Luka Doncic e Rudy Fernandez.

Reali i Madridit arriti të mbyllë periodën e parë 24-17, por Olympiacos u kundërpërgjigj duke fituar 10-minutëshin e dytë 23-18.

Më pas, Reali i Madridit vendosi përfundimisht diktatin e tij në këtë ndeshje, teksa bëri të tijët edhe 2 periodat e mbetura të kësaj sfide, të cilën e mbylli me avantazhin prej 18 pikësh. Për Olympiacos, Vassilis Spanoulis ishte më i miri në parket, me 14 pikë të shënuara, por për skuadrën greke kjo nuk mjaftoi për të përballuar Realin e Madridit.

/ Top Channel

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here