Barcelona dështon të përfitojë nga hapat fals të Atleticos së Madridit dhe të rikthehet në garë për titullin kampion, pasi nuk shkoi përtej një barazimi 1-1 ndaj Cadizit në “Camp Nou” vetëm pak ditë pas disfatës ndaj PSG-së.

Lionel Messi ishte më i lëvizshmi për katalanët dhe provoi disa herë të gjejë golin e avantazhit, por mbulohej afër nga mbrojtësit miq, të cilët arritën të bllokojnë tentativat e tij drejt portës kundërshtare.

Në minutën e 26’ arbitri akordoi një penallti për Barcelonën, por pas sinjalizimit të VAR, shkoi të rishikojë aksionin dhe vendosi anulimin e saj, duke lënë të pakënaqur futbollistët katalanas.

Megjithatë vetëm 5 minuta më vonë arbitri akordoi sërish penallti për Barcelonën, këtë herë pas një faulli të mbrojtësit të Cadiz në zonë, ndërsa nga pika e 11-metërshit shkoi kapiteni Lionel Messi, që ekzekutoi saktë dhe dërgoi topin në rrjetë.

Skuadra e Barcelonës vijoi të tregojë superioritet në fushë, duke kontrolluar topin përreth 80% të kohës dhe duke krijuar disa mundësi të tjera dyfishimi, por pa ia dalë të dërgojnë sërish topin në rrjetë.

E kur dukej se gjithçka do të mbyllej me një fitore minimale, arbitri akordoi një penallti për Cadiz, pas një faulli në zonë nga ana e francezit Lenglet. Nga pika e 11-metërshit shkoi Aleix Fernandez, që gjuajti saktë dhe shënoi golin e barazimit.

Të befasuar që u iku fitorja nga duart në një ndeshje të cilën po e dominonin, katalanët provuan të bëjnë diçka në shtesë, por pa arritur të dërgojnë topin në rrjetë dhe në fund dolën me vetëm një pikë përballë një kundërshtari ndaj të cilit fitorja ishte detyrim.

Me barazimin e sotëm Barcelona mbetet në vendin e tretë me 47 pikë dhe del thuajse plotësisht jashtë garës për titullin kampion, teksa është me një këmbë jashtë edhe në Ligën e Kampionëve e Kupën e Mbretit.

/Supersport.al

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here