Barcelona qëndron në garë për titullin e La Ligas falë fitores 2-3 ndaj Valencias në “Mestalla”. Një sukses me përmbysje për “blaugranat”, që shënuan tre gola brenda 12 minutash lojë në pjesën e dytë me protagonist absolut Leo Messin, autor i një dygolëshi, pavarësisht se gaboi nga pika e bardhë e penalltisë përballë holandezit Cilessen.

Barcelona, që vinte në këtë takim pas disfatës së papritur në “Camp Nou” ndaj Granadas, mori që në fillim kontrollin e lojës, megjithatë nuk ia doli të shënonte gjatë 45 minutave të para.

5 minuta nga starti i fraksionit të dytë “blaugranat” u ndëshkuan nga goli i Gabriel Paulistas. Gjithsesi, shtatë minuta më vonë miqtë fituan një 11-metërsh, që u ekzekutua nga Messi. Cilessen i kupton krahun argjentinasit, por në vijim të aksionit arrin të barazojë.

Nuk kaloi shumë kohë dhe Griezmann i dha epërsinë Barcelonës, duke shtyrë drejt rrjetës topin e kthyer nga portieri pas goditjes me kokë të de Jong, ndërsa në të 69-tën Messi i çoi shifrat në 3-1 me një goditje dënimi të kalibruar, me topin që rroku shtyllën para se të përfundonte në rrjetë.

Soler i Valencias rihapi ndeshjen me një goditje të pabesueshme nga jashtë zonës, që kapi të papërgatitur ter Stegenin, gjithsesi Barcelona e administroi më pas lojën, duke fituar një ndeshje shumë të rëndësishme, për të qëndruar në garë me Atleticon dhe Realin për titullin kampion. “Los Lochoneros” kryesojnë të vetëm me 76 pikë, Reali e Barça ndjekin me dy pikë më pak. Sfida direkte Atletico-Brcelona në javën e ardhshme do të jetë vendimtare në garën për titull.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here