Milani ka zhvilluar një sezon për t’u harruar, edhe pse nuk ka përfunduar ende, por me perspektivë nga e ardhmja, pas kalimit të klubit nga Berlusconi në duart e kinezëve.

Por tifozët e Milanit duket se kanë marrë sinjalin e radhës që i bën ata të ëndërrojnë: ditët e pushimit që po kalon në Milano, Pierre-Emerick Aubameyang.

Sulmuesi aktual i Borussia Dortmund, i dalë nga akademia e Milanit, ka udhëtuar drejt Lombardisë për t’u çlodhur disi, së bashku me të fejuarën dhe familjarë të tij. I lidhur gjithnjë me Varezen, goleadori nuk është fshehur pas kuintave, por ka publikuar në “Instagram” disa foto me të fejuarën Alysha. Por kjo nuk është edhe aq domethënëse, sa ajo që ka ndodhur me të vëllanë, Willy, i cili duket se ka qenë pranë “Casa Milan”, selisë së klubit kuqezi.

Mbrojtësi i datëlindjes 1987, i cili ka luajtur në të kaluarën me fanellën e Milanit, nuk është se ka vizituar selinë e Milanit, por duket se ka dashur të japë një sinjal. Ndoshta një mesazh për drejtuesit e rinj të kuqezinjve, të cilët kanë vendosur në listën e objektivave të përforcimeve lojtarin nga Gaboni.

Në fakt, drejtori sportiv Mirabelli dhe trajneri Montella, dy javë më parë kanë qenë në Monako për ta parë nga afër çerekfinalen e kthimit të Championsit mes vendasve të Principatës dhe Dortmundit. Aubameyang ka thënë gjithnjë se ëndërron të transferohet në Madrid, me destinacion Realin, por ndoshta mund të pranojë edhe një ofertë të Milanit, ku është aktivizuar me të rinjtë nga viti 2008 deri në 2011-n.

/ Top Channel

Artikulli paraprakReali gati ta paguaj klauzolën e francezit të famshëm
Artikulli tjetërF1, 23 vite pa legjendën Ayrton Senna