Debakël për Rayo Vallecano, pasi kjo skuadër u mposht në shtëpi nga Atletico Madrid me rezultatin 0-7.
Vallecano vinte në këtë duel pas dy suksesesh radhazi, mirëpo mbrëmja e së hënës u shndërrua në një makth të vërtet për vendasit, që iu dorëzuan totalisht skuadrës së Simeones, që u tregua e pamëshirshme duke shënuar plot 7 herë. Kjo është fitorja më e madhe jashtë fushe e Atleticos në histori të La Liga-s.
Ishte Griezmann ai që hapi serinë e golave në minutën e 2-të, ndërkohë që Depay në minutën e 16-të dhe Mollina në të 36-tën, çuan rezultatin 0-3 në pjesën e parë. E dyta prodhoi edhe 4 gola të tjerë.

Në minutën e 73-të ishte radha për sulmuesin Morata për të ngritur rezultatin në 0-4, kurse 6 minuta më vonë Correa shënoi për 0-5. Për të fundosur përfundimisht skuadrën e Balliut, menduan Morata në të 84-tën dhe Lorente në minutën e 86-të. Për sa i përket Ivan Balliut, mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, ishte titullar në këtë takim, por e pati të pamundur të ndalë furinë bardhekuq. Ai u ndëshkua edhe me karton të verdhë në minutën e 88-të.
Në duelin e javës së katërt, Atletiko do të përballet me Sevijan në shtëpi, ndërkohë që Vajekano do të jetë mysafir ndaj Betis.