Atletico Madrid e nisi me fitore LaLiga-n teksa mposhti me rezultatin 3-1 në stadiumin Wanda Metropolitana, Granadën e Myrto Uzunit me sulmuesin e Shqipërisë që ishte në fushë për 90 minuta.

“Los Colchoneros” ishin përgjatë gjithë kohës më kërkues, megjithatë të besuarit e trajnerit Diego Simeone mundën ta gjenin rrugën e rrjetës vetëm në limitet e kohës shtesë të pjesës së parë. Ishte Alvaro Morata ai që realizoi dhe nuk fali pas një momenti ku u shfaq i vetëm përballë portierit kundërshtar Ferreira.

Goli mori kohë për t’u konfirmuar pasi dyshohej për një pozicion jashtë loje të spanjollit, teksa në fund VAR vendosi në favor të Atleticos.

Në pjesën e dytë, mysafirët befasuan dhe gjetën golin e barazimit me anë të Samu. Ky i fundit realizoi në minutën e 62-të pas një asisti të Villar.

Gjithsesi, barazimi zgjati pak pasi pesë minuta më pas mendoi Depay që të rikthente në avantazh skuadrën e Atleticos. Holandezi shënoi një gol fantastik teksa lëshoi një silurë nga distanca me topin që u preh në trekëndësh pa i lënë asnjë shans reagimi portierit Ferreira.

Në fund pati kohë edhe për një gol të Llorente në minutën e 98-të dhe kështu vendasit ia dolën ta ruanin me sukses avantazhin duke koleksionuar tre pikët e para të kampionatit.

Artikulli paraprakMan.United fitoi, por Wolves nuk e meritoi humbjen
Artikulli tjetërGoditje e madhe për Man.City, lojtari kryesor mungon katër muaj