I mjaftonte vetëm një pikë për të kaluar në fazën e 1/8-ave të Ligës së Kampionëve, por Atalanta ia ka dalë të marrë tre të tilla në “Johan Cruijff Arena”, ku fitoi me rezultatin minimal 0-1 ndaj holandezëve të Ajaxit.

Sulmuesi kolumbian Luis Muriel ishte heroi i zikaltërve nga Bergamo, pasi erdhi në fushë në minutën e 79’ në vendin e patriotit të tij Duvan Zapata dhe vetëm 6 minuta më pas ia doli të dërgojë topin në rrjetë, duke siguruar kualifikimin e Atalantës.

Holandezët e Ajax zhvilluan një ndeshje të mirë në aspektin e qarkullimit të topit, por gjetën shumë pak hapësira në zonën e Atalantës dhe vetëm dy herë arritën të rrezikojnë kuadratin e Gollinit, ndërsa me këtë humbje detyrohen të vijojnë aventurën e tyre në Europa League.

Vizita e Liverpollit në Danimarkë ndaj Midtjylland ishte më shumë një ndeshje përgatitore, pasi “The reds” e kishin siguruar kualifikimin si vendi i parë në grup, ndaj edhe trajneri Jurgen Klopp shfrytëzoi mundësinë për të lënë pushim disa prej titullarëve.

Ndeshja përfundoi në barazim 1-1, me Liverpoolin që shënoi që në minutën e parë dhe Midtjylland që u kundërpërgjigj në pjesën e dytë, ndërsa më pas të dy skuadrave iu anulua nga një gol pas ndërhyrjes së VAR-it.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here