Ekzaktësisht një vit më parë nisi zyrtarisht puna për ndërtimin e “Arenës Kombëtare”. Procesi në impiantin më të madh në Shqipëri filloi me studimin e terrenit dhe hartimin e projektit gjeologo-inxhinierik, me shpimet me sondë që përcaktuan natyrën dhe kushtet fizike të terrenit. Tashmë, pas një viti, janë hedhur themelet për atë që do të jetë stadiumi modern, në të cilin mund të luhen ndeshje të fazës së grupeve të Champions, por edhe finale të trofeve të rëndësishëm kontinentalë, duke nisur nga Superkupa e Europës.

Pllaka e themelit është përfunduar në të gjitha tribunat e stadiumit. Në tribunën qendrore dhe tribunën jugore pas portës po punohet me kolonat e katit të nëndheshëm. Me të avancuara janë punimet në pjesën e tribunës karshi, ku kolonat dhe muret perimetrale të katit nën dhe kanë përfunduar ndërsa është hedhur edhe një pjesë e soletës për ambientet teknike.

E ndryshme situata në tribunën veriore pas portës, ku prej modifikimit të projektit të cilit iu shtua edhe një kat nën dhe, ka përfunduar gërmimi dhe është hedhur një pjesë e shtresës së betonit. Në objektin që korrespondon me kullën e stadiumit janë vendosur pilotat mbrojtëse të rrugës, të cilat po përforcohen, ndërsa vazhdojnë edhe gërmimet e themelit.

Pas procesit 6-mujor të shembjes së stadiumit të vjetër “Qemal Stafa”, në Prill 2016 nisi puna në kantierin e impiantit modern. Një stadium me kapacitet 22 mijë vende dhe kosto të përllogaritur në 50 milionë euro, që do të shërbejë si një qendër multi-funksionale, me hapësira publike me 4 sheshe dhe 300 vende parkimi. Investimi më i rëndësishëm në sportin shqiptar që do ti japë jetë stadiumit me standardet më të larta që kërkohen sot për sot në futboll është parashikuar të përfundojë në Tetor të vitit 2018.

Artikulli paraprak14 sfidat që do të vendosin fatin e Premier League
Artikulli tjetërGuardiola: Unë kurrë president i Barcelonës, kurse Pique…