Ajo që nisi si një thashethem, tashmë është bërë më e frikshme se kurrë, sepse gjykatat janë rikthyer të sulmojnë Juventusin, më saktë presidentin e tij, Andrea Anjeli, i cili akuzohet për një telefonatë, takime dhe madje edhe favore kundrejt krimit të organizuar, për shitjen e biletave dhe abonimeve të “Juventus Stadium”.

Prandaj, dje, u mbajt seanca e dytë dëgjimore, në të cilat palët u vunë sërish përballë njëratjetrës, por miliarderi torinez nuk ishte prezent. Luixhi Çiapero, avokati i bardhezinjve, ishte ai që mbrojti interesat e Andrea Anjelit, përballë komisionit Antimafia, i cili është i bindur se ka fakte për infiltrimin e “Ndrageta”-s në skandalin e biletave:

“Unë përjashtoj kategorikisht marrëdhëniet ‘miqësore’ mes Roko Dominelos dhe presidentit (Andrea Anjeli). Vetë Anjeli e përjashtoi se ekziston një deklaratë e vetme e Dominelos, që flet për një takim për arsye që lidheshin me ultrasit, në të cilin kishte qenë prezent edhe ai. Anjeli as që e kishte idenë se cili ishte Dominelo.

Madje, në këtë proces, por as në jetën e përditshme, hetimi saktësoi se nuk ka asnjë lidhje mes tyre, duke qenë se Dominelo është përgjuar për 2 vite dhe gjysmë, gjatë të cilave jo që nuk ekzistonte asnjë lidhje me presidentin e Juventusit, por mes tyre nuk ka qoftë edhe një telefonatë që të lidhte akuzat e procesit”, u shpreh avokati.

KUNDËRPËRGJIGJJA

“Ju avokat vazhdoni të këmbëngulni se nuk ka asnjë kontakt mes Dominelos dhe Anjelit, por ndoshta ju mungon ndonjë detaj në lidhje me këtë çështje, nuk jeni në dijeni të ndonjë numri tjetër, sepse unë nga përgjimet që kam dëgjuar më rezulton e kundërta”.

Me këto fjalë iu kundërpërgjigj presidentja e Komisionit Antimafia, Rozi Bindi, mbrojtësit të presidentit të Juventusit, e cila vazhdon më tej. “Jemi të lumtur që kemi marrë gatishmërinë e zotit Anjeli që të dalë përpara komisionit, por ta dini që ai nuk do të jetë i vetmi nga presidentët që do të merret në pyetje, pasi tashmë kriminaliteti po bëhet lehtësisht pjesë e sportit”. Dhe, me pak fjalë, beteja sapo ka nisur dhe pritet që të jetë e gjatë dhe e rrezikshme.

 

Raporti: Panorama Sport

 

Artikulli paraprakSerbët dhe rusët theren mes tyre, fajin ua hedhin shqiptarëve
Artikulli tjetërFitore e merituar e Anglisë