Kur mbeten tashmë vetëm pak orë nga starti i edicionit të ri të Kombëtares së Shqipërisë, me çeljen e kualifikueseve për Botërorin 2018, aventurë të cilën Kuqezinjtë do ta nisin me përballjen ndaj Maqedonisë, futbollisti Andi Lila, qartëson domethënien e kësaj përballie.
I befasuar nga cilësia e impiantit të ri “Loro Boriçi”, i testuar në miqësoren përballë Marokut, Lila është i bindur se të hënë në Shkodër, Kombëtarja do ta mbushë plot stadiumin, sikurse i ka hije të jetë prezantimi i kuqezinjve në sytë e botës. Lila ishte protagonist i një ndeshje spektakolare ndaj Francës.
“Unë nuk shoh derbi në takimin me Maqedoninë, sepse si ajo ndeshje, apo si ajo ndaj Italisë apo Spanjës, vlejnë gjithë secila nga 3 pikë. Ne do të bëjmë detyrën tonë dhe do të jemi të përqendruar për të marrë tri pikët dhe shpresoj që t’ia dalim mbanë. Shpresoj që të bëjmë një ndeshje, një performancë ashtu si e lamë në Francë, pasi jemi në nivel më të lartë. Kam shumë besim se do të dalim mirë në këtë ndeshje dhe në të ardhmet. Duhet të luajmë me këmbë në tokë dhe kemi treguar se nëse jemi të bashkuar, mund të dalim sa më mirë në këtë ndeshje”, deklaroi Andi Lila.