Rezultati i ndeshjes së parë të 1/8 së finales në Ligën e Kampionëve ndërmjet Paris SG dhe Barcelonës prej 4:0, ka mundur t’i lë shumë njohës futbolli apo adhurues të këtij sporti të shtangur, gojë hapur dhe të befasur me atë që panë në stadiumin “Parc des Princes” të Parisit.
Triumfi i kampionit të këtij shteti ndaj atij spanjoll ishte më shumë se e merituar, më bindës se asnjëherë më parë, e superioriteti i djelmoshave të Unai Emery nisi dhe përfundoi me nivelin e njëjtë të lojës.
Lojtarët e PSG ishin më të mirë, më të shpejtë, më të lëvizshëm dhe më konkret para portes së blaugranëve dhe nuk ka qenë aspak e papritur dhe e çuditshme fitorja bindëse.
Ka shumë elemente që u panë këtë duel sesi Paris SG me lehtësi kreu punë në çdo repart në fushës dhe me pak fat, ata kanë mundur t’ia shkaktojnë humbjen më të thellë në histori Barcelonës që për herë të katërt pranon katër gola në Ligën e Kampionëve, e këtë e kanë arritur më herët (Milan, Dinamo Kiev, Valencia dhe Bayern Munchen).
Mbrojtjet e skuadrave
Mungesa e Javier Mascheranos po vërehet shumë te Barcelona e cila edhe ashtu nuk është se shquhet shumë me repartin defanziv, mirëpo Umtiti dhe Pique janë shumë të ngadalshëm për lojtarë të kalibrit të lartë siç janë ata të PSG. Krahët e Barcelonës ishin shumë statikë sepse Sergi Roberto dhe Jordi Alba nuk guxonin të shkonin shumë përpara sepse kundërsulmet e shpejta të parisienëve nuk lejonin ata që të ndihmonin mesfushës dhe sulmin e që automatikisht vendasit fiton pozicion në mesfushë aty ku ishin bindës. Mbrojtja e PSG ishte për notën 10. Ata neutralizuan Suarezin, Neymar dhe Messi ishin larg zonës, andaj gjithçka për ta ishte e lehtë. Performansa e dy qendërmbrojtësve Maurquinhos e sidomos e Kimpembe ka lënë dilema të mëdha për ardhmërinë e Thiago Silvas, mungesa e të cilit as që u vërejt pasi nuk kishte fare nevojë për të. Mbrojtësit e krahut Meunier dhe Kurzawa poashtu dhanë kotributin e tyre si në mbrojtje ashtu edhe në mesfushë.
Mesfusha e PSG largë më e mirë se e Barcelonës
Ju kujtohet loja e Pep Guardiolas dikur me Barcelonën, agresiviteti dhe presingu i lartë dhe në çdo futbollistë që pamundësonte kundërshtarit që të ketë qetësinë në posedim të topit dhe për pak sekonda posedimin ishte i blaugranëve.
Kjo më tek Barcelona nuk ekziston, dhe shumë vështirë mund ta bëjë me këtë kalibër lojtarësh.
Andres Iniesta ishte i vetmuar totalisht pasi nuk ndihmohej fare nga Busquets që nuk e ka prek topin më shumë se 14 herë për 94 minuta lojë, ndërsa Gomes nuk po mundet ta gjejë vetën në këtë sistem loje, ashtu siç mund ta bëjë kroati Ivan Rakitic që nuk iu besua kjo pozitë nga Luis Enrique nga fillimi.
Nga ana tjetër eleganca e Iniestas të ri, Marco Verratit që ishte i shkëlqyeshëm dhe agresiviteti i Matuidi dhe Rabiot, që shumë shpesh ndihmoheshin edhe Di Maria dhe Cavani, thjeshtë thënë dominuan mesfushën, ndalën të gjitha topat që eventualisht mund të shkonin përpara te treshja e pavërejtur e Barcelonës, Messi,Suarez,Neymar, dhe për pak sekonda rrezikonin portën e Ter Stegen i cili katër herë e nxorri topin nga porta.
Sulmi steril i Barcelonës, PSG shumë më i mirë pa Ibrahimovic
Nëse dikush tentonte të bënte më shumë në këtë ndeshje ishte braziliani Neymar, mirëpo ishte i vetmuar. Askush nuk e ndihmonte atë, Iniesta më nuk mundet sepse nuk e ka moshën, Suarez është sulmus ekstrem dhe ai nuk mundi të bënte asnjë rast ose pasim kthyes me Nymar siç i bëjnë zakonisht në La Liga, kurse problem më i madh mbetet Lionel Messi.
Duke ec në fushën e blertë, duke mos qenë aspak i disponuar për lojë, i bllokuar totalisht nga kundërshtarët (fajtori kryesor te goli i dytë), Barcelona nuk ka mundur të pret më shumë dhe përfundimisht njerëzit duhet ta kuptojnë një fakt të ri, Barcelona e para 5 viteve nuk është e njëjta dhe nuk do të jetë më si më parë, kështu që humbjet nga kundërshtarët e fortë nuk do të jetë rastësi.
Sulmi i Paris SG ishte në formë të lartë, dinte çfarë donte, shumë i disponuar dhe efikas.
Ardhja e Draxler te parisienët ka ndryshuar shumë sistemin e lojës pasi ai dhe Di Maria po vrapojnë dhe po shënojnë shumë në momentin kur Edinson Cavani po i tërheq pas nga dy mbrojtës.
Kur jemi te sulmuesi uruguaijan, ai ka shpërthyer në momentin e parë pas largimit të Zlatan Ibrahimovic që e kishte ngulfat sulmin dhe lojën e PSG, dhe sigurisht se tash kjo skuadër është shumë më e fortë dhe efikase.
Futbolli francez në ngritje
Për fund edhe pak fjalë për futbollin francez. Nëse në dy-tri vitet e fundit ndonjë kampionat ka pasur ngritje të cilësisë atëherë pa dyshim është Ligue1.
Shumë skuadra të njohura evropiane (pazarin më të mirë) po e bëjnë dhe vazhdojnë ta bëjnë në kampionatin francez ngase në të gjitha skuadrat ka lojtarë të rinjë dhe shumë të talentuar në çdo pozicion, andaj nuk është çudi që pas shumë investimeve që ka bërë PSG, ka shtyrë edhe rivalët tjerë të forcohen, dhe aspak lehtë nuk do ta ketë përballjen as Manchester City që do të ketë kundërshtar Monacon, liderin aktual në Ligue1.
Me këtë ritëm, francezët mund të shkojnë shumë lartë në këtë edicion të Ligës së Kampionëve që mund të jetë ndër më të fortit në dekadën e fundit, e “befasitë” mund të jenë të mëdha.