Dinamo e Zagrebit, Vitoria Plzen dhe Astana. Një derbi ballkanik me gjigantët e gadishullit, të cilët Ilir Daja i njeh mirë, por edhe shansi për t’u hakmarrë për Partizanin, apo për Dritën. Është kjo sinteza e kapriços së goglave të shortit të Monakos për Ballkanin. Skuadra e Ilir Dajës, që siguroi një arritje historike duke shkuar për herë të dytë radhazi në grupet e Conference League do të luajë shanset e saj në grupin C.

Padyshim që gjen aty rivalë të vështirë, por në nivele të tilla diçka e tillë është e paevitueshme, e megjithatë me atë çfarë ka treguar në fushë, por edhe nga back groundi i rivalëve, që të gjithë kanë eksperienca të mëparshme me skuadrat shqiptare, Ballkani i ka shanset që këtë herë të provojë kalimin e grupit ku natyrisht favoritë absolutë për vendin e parë është Dinamo e Zagrebit.

Gjigantët kroatë janë padyshim të një tjetër niveli e megjithatë rezultatet pozitive ndaj tyre nuk janë një mision i pamundur dhe këtë e di më mirë se kushdo tjetër strategu i këtij Ballkani, Ilir Daja që kur drejtonte Skënderbeun, në play off-in e Europa League të sezonit 2017-2018 eliminonte pikërisht Dinamon e Zagrebit ku pas një barazimi 1-1 në “Maksimir” korçarët rezistuan 0-0 në Elbasan Arena për t’u kualifikuar falë rregullit të golit në fushë kundërshtarë duke shkuar për herë të parë në grupet e Europa League.

Ndërkohë për sa i përket çekëve të Viktoria Plzen, edhe pse një skuadër me traditë në Europë, ku kanë shkuar vitin e kaluar në grupet e Champions League, çekët këtë verë në raundin e dytë të Conference League vuajtën përballë Dritës, skuadër e kampionatit të Kosovës me të cilën barazuan 0-0 në Çeki, për të fituar 1-2 vetëm falë një penalltie në minutën e fundit në Prishtinë. Padyshim që Ballkani i ka shanset për të bërë më mirë se Drita në këtë fushatë.

Rivali tjetër në grupin C është Astana. Skuadra kazake arriti të kualifikohet në grupet e Conference League duke eliminuar Partizanin, pasi kishte fituar 1-0 ndeshjen e parë në shtëpi dhe barazoi këtë të premte 1-1 ndaj të kuqve në ‘Elbasan Arena’ në një sfidë ku kampionët e Shqipërisë kryesonin 1-0 në një pjesë të parë të dominuar nga ta.

Astana nuk tregoi një nivel më të lartë se Partizani, e padyshim që mund të konsiderohet një rival i kalueshëm për Ballkanin që nuk dëshiron të ndalet këtu, por do të provojë padyshim kalimin e grupit, duke na dhuruar të tjera emocione që do të mund t’i përjetoni në platformën më të dashur të të gjithë shqiptarëve, DigitAlb/Supersport ku do të mund të ndiqni të gjitha ndeshjet e skuadrës Shqiptare që po bën historinë.

Artikulli paraprakManchester United “blindon” portën me “gardianin” e kombëtares turke
Artikulli tjetërMilan e gjeti sulmuesin në Angli, por koha e shkurtër mund ta prish marrëveshjen