E ardhmja e Milanit po merr çdo ditë e më shumë pamjen e një ekuacioni. Pas ankthit që ka kapluar klubin për sa i përket përgjigjes së UEFAs për “Fair Play Financiar”, drejtuesit po shqyrtojnë shitjen e një pjese të madhe, në mos të të gjitha aksioneve të kuqezinjve.

ARABËT

Në fillim të javës ishte folur për një grup arab që kishte shfaqur interes, ndërsa ditën e djeshme gazeta italiane “Sole 25 Ore” ka bërë publik edhe emrin e personit që kërkon të marrë pronësinë e Milanit. Në fakt, më shumë se një individ, është grupi arab “Fauaz Abdulaziz Alhokair” që, me një pasuri prej 1.2 miliardë dollarësh, (sipas FORBES) kërkon të përfshihet në bordin e aksioneve të “Djallit”.

Kjo kompani, deri pak muaj më parë, përflitej si kandidatja kryesore për të ndërtuar stadiumin e Romës, por vonesat në sigurimin e dokumentacioneve nga ana e klubit kryeqytetas venitën interesin e arabëve. Plani i sheikëve, me sa duket, është që të bëhen pjesë e klubit, në mënyrë që, në një moment të dytë, të kenë mundësinë e ndërtimit të stadiumit të ri që do të zëvendësojë “San Siro”-n për ndeshjet e kuqezinjve në Milano.

RRUGËDALJET

Me presidentin Jonghong Li, që është në bisedime me fondin “Highbridge” për të siguruar 300 milionë eurot që u detyrohet amerikanëve të “Elliot”, aktualisht nuk ka asgjë zyrtare mes manjatit kinez dhe grupit arab, por soliditeti ekonomik i këtyre të fundit mund të shndërrohet në një element joshës për kreun kuqezi.

Nga ana tjetër, nëse Mr.Li dështon të arrijë një marrëveshje për likuidimin e “Elliot”, këta të fundit mund të nxjerrin klubin në ankand me “Fauaz Abdulaziz Alhokair Group” që do të kishte një tjetër shans për të blerë Milanin duke realizuar një ofertë më të lartë se kandidatët e tjerë. Për momentin, këto janë vetëm disa nga rrugët që mund të marrë fati i “Djallit”, teksa tetori i vitit të ardhshëm, në mos një afat më i hershëm, do të japë verdiktin përfundimtar mbi pronarin e ri të Milanit.

Artikulli paraprakLufta për titull? Limani ‘godet’ Gjilanin
Artikulli tjetërPara se të kalonte te United dhe Real Madrid, ky klub italian e kishte refuzuar CR7