E enjtja ishte dita më e keqe e karrierës së bujshme të Gani Sejdiut.

Trajneri mitrovicas tashmë është bërë i njohur si “njeri i trofeve” falë kualifikimit në profesion dhe trendëve profesionalë të kohës që i ndjek në vazhdimësi, shkruan “Zëri”.

Por, e enjtja ia solli rezultatin më të dobët në karrierë. Një njeri që ka fituar një kupë, dy superkupa, dy tituj të kampionit në Kosovën e pasluftës, një titull vjeshtor e që e ka shijuar edhe nënkampionin dhe ka shpëtuar ekipe nga më e keqja të enjten ra prej Superligës me Vëllaznimin.

Ekipi gjakovar e humbu ndeshjen e barazhit nga Ferizaj përmes penalltive.

I kontaktuar nga “Zëri”, Sejdiu nuk e ka fshehur zhgënjimin e humbjes, ndonëse është fajtori më i vogël apo edhe nuk ka faj fare në këtë dështim të madh të Vëllaznimit.

Kjo pasi Sejdiu ishte emëruar trajner i Vëllaznimit në kohën kur në kampionat zhvilloheshin ndeshjet e fundit.

“Pesë ndeshje me Vëllaznimin. Dy fitore e tri barazime. Pesë gola të shënuara dhe vetëm një i pësuar. Ky bilanc nuk mjaftoi të mbijetojmë në Superligë. Kështu e ka futbolli”, tha Sejdiu për “Zërin”.

Në fakt trajneri mitrovicas ka sakrifikuar për Gjakovën. Ai e dinte mirë se e rrezikon karrierën nëse e merr Vëllaznimin, i cili në ato ditë thuajse ishte dorëzuar krejtësisht në luftë për t’i ikur barazhit.

Por, shkaku i respektit të madh për Agim Canën, Lorik Canën, emrin e Vëllaznimit e tifozerinë e zjarrtë të Gjakovës Sejdiu kishte vendosur ta marrë në dorë ekipin kuqezi. Madje për pak e bëri mrekullinë.

Sejdiu i regjistroi disa rezultate pozitive me të cilat për pak nuk arriti ta kalojë Gjilanin në renditje dhe t’i shmanget barazhit, që gjakovarët veç ishin pajtuar më herët.

Siç dihet, Sejdiu është njëri prej emrave më eminentë në futbollin kosovar. Ai është bërë ndër trajnerët më të kërkuar, sidomos pas sukseseve në vitet e fundit.

Sejdiu i ka bërë kampionë Trepçën dhe Feronikelin, që i kishte lënë në vend të parë edhe në titullin e dytë që e kishte fituar.

E ka fituar Kupën me Besën dhe me Feronikelin. Sejdiu i numëron edhe dy superkupa – një me Trepçën e një tjetër me Feronikelin.

Po ashtu edhe një kupë mbarëkombëtare. Për emrin e tij respekt të madh ka edhe skuadra më e madhe në vend FC Prishtina, e cila para se te angazhonte Mirel Josën po bisedonte me Sejdiun, negociata që për pak kishin dështuar.

Artikulli paraprakKy është largimi i rradhës nga Llapi (FOTO)
Artikulli tjetërBeckham ka një porosi (lutje) që çuditshme për Zidane